2 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Dialogu i bllokuar, Brukseli s’ka datë për takimin e radhës Thaçi – Vuçiq

Dështimi i takimit të 7 shtatorit ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit në Bruksel ka shënuar edhe fillimin e bllokadës së procesit të dialogut shumëvjeçar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, shkruan Gazeta Express.

Përveç kësaj, ideja e plasuar nga kryesuesi i këtyre bisedimeve, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy shteteve, ka bërë që edhe faktori politik kosovar të barrikadohet kundër dhe të mos gjendet konsensus rreth asaj se kush duhet t’i udhëheqë bisedimet.

Kundër Thaçit është organizuar edhe një protestë, ndërkohë Veseli, Haradinaj e Limaj po provojnë që me draft-rezoluta për dialogun, ta nxjerrin Thaçin jashtë lojës, dhe në Bruksel si kryesues i bisedimeve të shkojë Fatmir Limaj.

Nisma të tilla përveç pozitës, nuk po e marrin përkrahjen e dy partive më të mëdha opozitare, LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat po kërkojnë me ngulm që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Krahas kësaj bllokade politike në Kosovë për dialogun, as vetë Brukseli nuk e di se kur do të mund të caktohet një takim tjetër i nivelit të lartë ndërmjet dy shteteve.

Në një prononcim për Gazetën Express. zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, ka thënë se ende nuk dihet data e një takimi tjetër të mundshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

“Në këtë moment nuk mund të japim një datë për takimin e radhës të nivelit të lartë në kontekstin e dialogut. Por në momentin që do ta kemi një datë, do ta bëjmë publike”, ka thënë ajo për Gazetën Express.

E pyetur rreth asaj se çfarë do të diskutohet në takimin e mundshëm të radhës, ajo ka thënë se për këtë përgjegjëse janë të dy palët e përfshira në dialog.

“Agjenda dhe formati në Dialog caktohet nga të dy palët”, është shprehur Kocijancic.

Për çështjen e dialogut politik ndërmjet dy shteteve, Avni Arifi, përfaqësues i Kosovës në dialogun teknik Kosovë-Serbi, thotë se partitë politike duhet të kalojnë dallimet dhe të bëhen bashkë në këtë proces, që, sipas tij, është i një rëndësie jetike për shtetin e Kosovës.

“Sa i përket dialogut politik, si shef i dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, konsideroj se është e një rëndësie jetike që partitë politike, liderët institucionalë, pozitë dhe opozitë, t’i tejkalojnë dallimet dhe të formojnë një grup çfarë është propozuar nga Qeveria, që të jemi bashkë në këtë proces të rëndësishëm. Në momentin që bëhemi bashkë do të bëhet më e lehtë, dhe Kosova në çdo variant do të dalë fituese”, ka thënë Arifi në një prononcim për Gazetën Express.

Ai ka folur edhe për ngecjen e dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një gjë e tillë po ndodh shkaku i mos gatishmërisë së palës serbe për të diskutuar rreth çështjeve të cilat kanë mbetur pezull.

Arifi ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Brukselin dhe se janë të gatshëm të shkojnë në Bruksel për të diskutuar me Serbinë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img