Zëvendësministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti priti sot në takim sekretarin politik të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, Robin Budd, me tw cilin biseduan për mundësinë e bashkëpunimit nëpërmjet projekteve konkrete si në kulturë, sport, trashëgimi e fusha të tjera.
Zëvendësministri kërkoi një angazhim më të madh të Britanisë në drejtimin e avancimit të proceseve të gjithanshme në lidhje me kishat paleokristiane në Kosovë, që janë me dhjetëra në vendin tonë, një vlerë kjo shumë e çmuar e trashëgimisë dhe qytetërimit evropian.
Hoti dhe Budd, me theks të veçantë biseduan për procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO ku u dakorduan që të dyja shtetet të koordinojnë hapat që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare.
Zëvendësministri theksoi rëndësinë që Britania e Madhe, si një aleat i fuqishëm i Kosovës, ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.
Edhe Budd shprehi gatishmërinë për bashkëpunim dhe përkrahje në nisma dhe projekte të përbashkëta sidomos garantoi përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Në takim u diskutua edhe mundësia e formimit të një grupi punues të përbërë nga MPJ, MKRS dhe pesëshja evropiane, sa i përket çështjes së UNESCO-s.
Veç tjerash, Hoti dhe Budd folën edhe për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Zëvendësministri theksoi se pas rezultatit të Referendumit që u mbajt në Britani të Madhe, është e nevojshme një vëmendje edhe më e madhe ndaj dialogut.
Hoti shprehi mendimin se për të pasur sukses edhe në të ardhmen, dialogu duhet patjetër ta ketë peshën parësore të Britanisë së Madhe e cila e ka magjinë për suksese të tilla. Ai theksoi se dialogu duhet ta ketë patjetër peshën e vet edhe në shtrirjen Uashington, Bruksel dhe Londër.
Zëvendësministri potencoi se garantimi i suksesit të deritashëm ka qenë kontribut i të gjithëve me krye me SHBA-të dhe veçmas me Britaninë e Madhe.
Kurse, Budd theksoi se dialogu ndihmon edhe në çështjen e UNESCO-s, si dhe foli për mundësitë e shumta të bashkëpunimit në sport, me rinin e aspekte tjera me interes të shumanshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovës.