Josep Borrell, shefi i diplomacisë evropiane sot në Paris do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Alekasandër Vuçiq.
Këtë e ka bërë të ditur nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano përmes një postimi në Twitter.
“BE vazhdon përpjekjet për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe lehtësimin e përparuar të dialogut Kosovë-Serbi, Josep Borrell do të takoj nesër në Paris, në takime të ndara kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiq”, ka shkruar Stano.
Ndryshe kryeministri, Albin Kurti po merr pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron.
Ai bashkë me presidenten Osmani kanë pasur një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron në Pallatin Elysee.
Kurti ka thënë se me Macronin kanë folur edhe për propozimin franko-gjerman, duke thënë se shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
“Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka shkruar Kurti.
Për këtë takim ka njoftuar edhe Presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se me Macronin kanë folur për procesin e dialogut dhe situatën në veri.
“Diskutuam edhe veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtar, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ndërkaq, Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Osmani./Prishtinapress/