Udhëzimi i ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), publikuar në vigjilje të Ditës Botërore të Kancerit (4 Shkurt), synon të përmirësojë gjasat për mbijetesën e njerëzve që jetojnë me kancer duke siguruar që shërbimet shëndetësore të mund të përqendrohen në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes më herët.
Shifrat e reja të OBSh-së të publikuara këtë javë tregojnë se çdo vit 8.8 milion njerëz vdesin nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme. Një prej problemeve është diagnostikimi shumë i vonuar i shumë rasteve me kancer.
Madje edhe në shtetet me sisteme dhe shërbime shëndetësore optimale, shumë raste kanceri janë diagnostikuar në një stad të avancuar, kur trajtimi i suksesshëm i tyre është më i vështirë.
“Diagnostikimi i kancerit në stadet e vona, dhe pamundësia për të siguruar trajtimin, ndëshkon shumë njerëz me vuajtje jo të domosdoshme dhe vdekje të hershme,” thotë Dr Etienne Krug, Drejtor i Departamentit për Menaxhimin e Sëmundjeve Jo-ngjitëse, parandalimin e pa-aftësisë, dhunës dhe lëndimeve në OBSh.
“Përmes ndërmarrjes së hapave për zbatimin e udhëzimit të ri të OBSh-së, planifikuesit e kujdesit shëndetësorë mund të përmirësojnë diagnostikimin e hershëm të kancerit dhe të sigurojnë trajtimin e menjëhershëm, sidomos për kanceret e gjirit, cerviksit dhe atë kolo-rektal. Kjo do të rezultojë me më shumë njerëz që mbijetojnë kancerin. Kështu njëkohësisht do të jetë më lirë të trajtohen dhe shërohen pacientët me kancer.”
Të gjitha vendet mund të ndërmarrin hapa për të përmirësuar diagnostikimin e hershëm të kancerit, sipas Udhëzues për diagnostikimin e hershëm të kancerit, udhëzues i ri i OBSh-së.
Tre hapat kah diagnostikimi i hershëm janë:
· përmirësimi i ndërgjegjësimit publik për simptomat e kancereve të ndryshme dhe inkurajimi i njerëzve që të kërkojnë kujdesin kur paraqiten ato simptoma;
· investimi në fuqizimin dhe pajisjen e shërbimeve shëndetësore dhe trajnimin e profesionistëve shëndetësorë ashtu që ata të mund të kryejnë diagnostikimin e saktë dhe me kohë;
· sigurimin që njerëzit që jetojnë me kancer të mund t’i qasen trajtimit të sigurt dhe efektiv, përfshirë zbutjen e dhembjes, pa përjetuar vuajtje frenuese personale apo financiare.
Sfidat janë dukshëm më të mëdha në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme, të cilat kanë mundësi më të vogla për të siguruar qasje në shërbime diagnostikuese efektive, përfshirë imazherinë, testet laboratorike dhe patologjinë – që të gjitha këto kyçe në zbulimin e kancerit dhe planifikimin e trajtimit.
Vendet e ndryshme gjithashtu kanë kapacitete të ndryshme aktuale për të referuar pacientët me kancer në nivelin e përshtatshëm të kujdesit.
OBSh inkurajon këto vende që të prioritizojnë shërbimet diagnostikuese dhe trajtuese të kancereve themelore, me ndikim të lartë dhe me shpenzime të vogla. Organizata rekomandon gjithashtu zvogëlimin e nevojës së njerëzve për të paguar për kujdesin nga xhepi i tyre, gjë që parandalon shumë prej tyre që të kërkojnë ndihmë në radhë të parë.
Zbulimi i hershëm i kancerit gjithashtu zvogëlon shumë efektin financiar të kancerit: jo vetëm që shpenzimet e trajtimit të kancerit janë shumë më të vogla në stadet e hershme të kancerit, por edhe njerëzit gjithashtu mund të vazhdojnë të punojnë dhe të përkrahin familjet e tyre nëse mund t’i qasen trajtimit efektiv me kohë.
Në vitin 2010, shpenzimi i përgjithshëm ekonomik vjetor i kancerit përmes shpenzimeve të kujdesit shëndetësor dhe humbja e produktivitetit ishte përllogaritur në 1.16 miliard US$.
Strategjitë për përmirësimin e diagnostikimit të hershëm mund të ndërtohen lehtë në sisteme shëndetësore me shpenzime të vogla.
Së këndejmi, diagnostikimi i hershëm efektiv mund të ndihmojë në zbulimin e kancerit në pacientë në një stad më të hershëm, duke mundësuar trajtimin që është në përgjithësi më efektiv, më pak i komplikuar dhe më i lirë. Për shembull, studimet në vendet me të ardhura të larta kanë treguar se trajtimi për pacientët me kancer që janë diagnostikuar herët janë dy deri katër herë më të lira sesa trajtimi i njerëzve të diagnostikuar me kancer në stade më të avancuara.
Dr Oleg Chestnov, Ndihmës-Drejtor për sëmundje jo-ngjitëse dhe shëndet mendor në OBSh, thekson: “Aksioni i përshpejtuar qeveritar për të fuqizuar diagnostikimin e hershëm të kancerit është çelës i përmbushjes së synimeve shëndetësore dhe zhvillimore globale, përfshirë Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SZhQ).”
SZhQ 3 synon që të sigurojë jetë të shëndetshme dhe të promovojë mirëqenien për të gjithë në çdo moshë. Vendet janë pajtuar që të synojnë zvogëlimin e vdekjeve të parakohshme prej kancerit dhe sëmundjeve tjera jo-ngjitëse (SJN) për një të tretën deri në vitin 2030.
Ato gjithashtu janë pajtuar që të arrijnë sigurimin shëndetësorë të përgjithshëm, duke përfshirë mbrojtjen nga rreziku financiar, qasjen në shërbime themelore cilësorë të kujdesit shëndetësor dhe qasje në barna dhe vaksina të sigurta, efektive, cilësore dhe të arritshme për të gjithë.
Në të njëjtën kohë, përpjekjet për të përmbushur synimet tjera të SZhQ, siç janë përmirësimi i shëndetit mjedisor dhe zvogëlimi i pabarazive sociale gjithashtu mund të ndihmojë në zvogëlimin e barrës së kancerit.
Kanceri tani është përgjegjës për gati një në gjashtë vdekje në botë. Më shumë se 14 milion njerëz zhvillojnë kancer çdo vit, dhe kjo shifër është projektuar që të rritet në mbi 21 milion deri në vitin 2030. Përparimi në fuqizimin e diagnostikimit të hershëm të kancerit dhe sigurimin e trajtimit themelor për të gjithë mund të ndihmojë vendet që të përmbushin synimet nacionale lidhura për SZhQ.
Shumica e njerëzve të diagnostikuar me kancer jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku ndodhin dy të tretat e vdekjeve nga kanceri.
Më pak se 30% të vendeve me të ardhura të ulëta në përgjithësi kanë të arritshme shërbimet e diagnostikimit dhe trajtimit, dhe sistemet e referimit për kanceret e dyshuara shpesh nuk janë në dispozicion duke rezultuar me kujdes të vonuar dhe të fragmentuar.
Situata për shërbimet e patologjisë kanë qenë edhe më sfiduese: në vitin 2015, përafërsisht 35% të vendeve me të ardhura të ulëta kanë raportuar që shërbimet e patologjisë në përgjithësi kanë qenë në dispozicion në sektorin publik, krahasuar me më shumë se 95% të vendeve me të ardhura të larta.
Kontrolli gjithëpërfshirës i kancerit përbëhet nga parandalimi, diagnostikimi i hershëm dhe skriningu, trajtimi, kujdesi palliativ dhe kujdesi për të mbijetuarit. Të gjitha këto duhet të jenë pjesë të planeve të fuqishme kombëtare të kontrollit të kancerit.
OBSh ka prodhuar udhëzues për kontrollin gjithëpërfshirës të kancerit për të ndihmuar qeveritë që të zhvillojnë dhe zbatojnë planet e tilla për të mbrojtur njerëzit nga fillimi i kancerit dhe për të trajtuar ata që kanë nevojë për kujdes.
Kanceret, krahas diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundjeve kronike të mushkërive, janë të njohura gjithashtu si Sëmundje Jo Ngjitëse (SJN), që kanë qenë përgjegjëse për 40 milion (70%) prej 56 milion vdekjeve mbarë-botërore në vitin 2015. Më shumë se 40% të njerëzve që kanë vdekur nga SJN kanë qenë nën moshën 70 vjeç.
OBSh dhe komuniteti ndërkombëtarë, ka caktuar synimet për zvogëlimin e vdekjeve të tilla të parakohshme nga SJN për 25% deri në vitin 2025 dhe për një të tretën deri në vitin 2030, kjo e fundit si pjesë e SZhQ.
Shtetet kanë miratuar një seri synimesh për të trajtuar SJN, përfshirë vënien në dispozicion dhe bërjen e teknologjive mjekësore themelore dhe barnave esenciale për trajtimin e kancereve dhe gjendjeve tjera në institucione shëndetësore .