Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sot me kërkesë të Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, ka informuar Komisionin lidhur me Projektin për asistencë teknike i Luksemburgut, në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Zhvillimor, Asistencë Teknike në Kontekst të Integrimit Evropian.
Procesi i integrimit është kompleks dhe kërkon reforma në shumë sektorë, theksoi Ministrja Hoxha, për këtë, kapacitetet institucionale janë ndër faktorët kyç.
Po ashtu, Ministrja Hoxha kërkoi që të ofrohet mbështetje edhe për Ministrat dhe Komisionin sepse asistenca për shërbimin civil duhet të koordinohet edhe me asistencë për nivelin politik për implementimin e MSA-së.
Pas negocimit, më 7 mars të këtij viti, theksoi Ministrja, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në kontekst të integrimit evropian me Qeverinë e Luksemburgut për mbështetje të institucioneve të Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve për zbatimin e MSA në disa fusha prioritare dhe mbështetje për komunikim efektiv të procesit të MSA-së.
Asistenca ofrohet për trajnim, trajnim të trajnerëve, nevoja ad-hoc për ekspertizë dhe politika të caktuara dhe hulumtime gjithëpërfshirës i politikave të BE-së për të ndihmuar në formulimin e politikave nacionale dhe përafrimin e legjislacionit.
Fushat prioritare bazohen në prioritetet e MSA-së dhe përfshijnë 10 fusha të politikave nga të cilat 9 kapituj të Acquis dhe një temë horizontale, theksoi Ministrja, duke shtuar se projekti planifikohet të realizohet për 4 vite, shuma e mbështetjes është 2.1 milion euro nga të cilat Luksemburgu jep grant 2 milion euro dhe bashkëfinancimi nga MIE është 100,000 euro.
Projekti do të menaxhohet nga Komiteti i përbashkët Drejtues (MIE, Luksemburg) dhe do të implementohet nga Ministria e Integrimit.
Projekti për zhvillimin e kapaciteteve në vlerë prej 1.5 milion euro është duke u negociuar me Qeverinë e Norvegjisë, për 9 kapituj të ri.
Ministrja u përgjigj edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, duke dhënë përgjigje shteruese për çështjet lidhur me procesin integrues.