Site icon PrishtinaPress

Dhunë në një familje në Graçanicë: Gruaja kërkon ndihmë në Polici, frikësohet të jetojë me burrin

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre.

Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Graçanicë, ku një burrë dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, për çka ajo u detyrua ta denoncojë në Polici.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima ka kërkuar ndihmë pasi nuk ndjehet e sigurt që të jetojë me bashkëshortin, i cili ka shkaktuar frikë dhe shqetësim të madh, duke e ofenduar me fjalë të rënda.

Bazuar në dëshminë e saj, rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku përveç burrit, edhe vjehrra e saj ka ushtruar dhunë psikike.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”. prishtinapress.net

Exit mobile version