Mediat dhe gazetarët kanë qenë halë në sy për pushtetin e ri të instaluar në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021. Grupe të ndryshme në rrjete sociale që kontrollohen nga presona të afërt apo edhe familjarë të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje shpesh herë kanë organizuar fushata denigruese kundër mediave të ndryshme dhe kundër gazetarëve.
Pa i sulmuar mediat s’kanë qëndruar as nga zyra për zëdhënie e Lëvizjes Vetëvendosje e as nga kabineti i Vjosa Osmanit.
Duket se një klimë e tillë e krijuar përgjatë vitit 2021, ka ndikuar edhe në vlerësimin që amerikanët kanë bërë për Kosovën sa i përket lirisë së mediave në Kosovë. Nga Departamenti i Shtetit kanë vlerësuar se në Kosovë përgjatë vitit 2021 kanë ndodhur “kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe medias, përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve”.
Ky vlerësim për vitin 2021, dallon nga i viteve paraprake, 2019 dhe 2020, ku s’përdorej termi “serioze”, por thuhej se kishte “kufizime të tepruara”.
Përveç kësaj, raporti i DASH-it për vitin 2021, vë në pah mbylljen e institucioneve dhe Qeverisë ndaj gazetarëve derisa theksohet se ka pasur edhe përpjekje nga zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare për të frikësuar përfaqësuesit e mediave.
Gjithashtu theksohet fakti se gazetarët kanë hasur në vështirësi për marrjen e informacioneve nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht se me ligje garantohet qasja në dokumente publike.
“Kushtetuta dhe ligji parashikojnë lirinë e shprehjes, duke përfshirë shtypin dhe mediat e tjera. Ndërsa qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë, raporte të besueshme tregojnë se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias. Problemet e financimit gjithashtu minuan pavarësinë e medias. Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë akses në dokumente publike. Komisioni i Pavarur për Media rregullon frekuencat e transmetimit, lëshon licenca për transmetuesit publikë dhe privatë dhe përcakton politikat e transmetimit”, thuhet në raport.
Tutje thuhet se mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe kanë shprehur shumëllojshmëri pikëpamjesh në përgjithësi pa kufizime, megjithatë theksohet se raportet gjejnë se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë dhe grupe fetare e individë të pakënaqur kanë bërë presion ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve apo reporterëve që të mos publikojnë histori apo materiale të caktuara.
“Liria e shprehjes për anëtarët e shtypit dhe mediave të tjera, përfshirë mediat online: Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehnin një shumëllojshmëri të gjerë pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, vazhduan raportet se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin presion pronarëve të mediave, redaktorëve individualë dhe reporterëve që të mos publikonin histori ose materiale të caktuara. Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik investigativ për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”, thuhet në këtë pjesë.
Ndaj një vlerëimi të tillë të Departamentit të Shtetit ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se janë të shqetësuar me gjetjet kryesore të raportit të Departamentit të Shtetit.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shpreh shqetësimin lidhur me gjetjet kryesore të Raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së në të cilin përmenden gjetjet e Raportit të DASH-it.
Megjithatë klima e të bërit gazetari në Kosovë dhe qasja e drejtuesve të institucioneve s’ka ndryshuar as në vitin 2022. Madje, burri i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, ka shkuar aq larg sa i ka quajtur mediat dhe gazetarët si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, deklaratë e cila ka nxitur edhe reagime të organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.
Në një letër të përbashkët të publikuar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), së bashku me një grup të organizatave mediatike, shoqatave dhe sindikatave, i ishte kërkuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ndalnin menjëherë përdorimin e gjuhës diskredituese dhe denigruese në drejtim të gazetarëve, të organizuar nga zyrtarë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Zyrën e Presidentes dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.
Letra e plotë:
Për: Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani
Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti
Dërguar në mënyrë elektronike 10 shkurt 2022
E nderuara Presidente Vjosa Osmani, I nderuar kryeministër Albin Kurti, Ne, organizatat e të cilat kemi nënshkruar, bëjmë thirrje për t’i dhënë fund menjëherë gjuhës diskredituese dhe denigruese ndaj mediave nga zyrtarë dhe individë të lidhur me partinë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e Presidentes dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.
Ditëve të fundit jemi shqetësuar nga mesazhet në rrjetet sociale me origjinë nga politikanë dhe zyrtarë që kanë shërbyer për të nxitur publikun kundër gazetarëve dhe reporterëve. Këto përfshijnë, për shembull, komentet në Facebook nga zëdhënësit dhe këshilltarët për media të Zyrës së Kryeministrit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, duke folur në emër të partisë që përfaqësojnë, nënkuptuan se media u përpoq të përmbyste dhe minonte Presidenten përmes këtyre raportimeve. Shqetësuese janë edhe komentet në Facebook të bashkëshortit të Presidentes, Prindon Sadriut, i cili i quajti gazetarët një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, një koncept i ngarkuar, veçanërisht në Ballkan.
Si tërësi, këto komente kanë rezultuar efektivisht në një vullkan abuzimesh në internet nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, që kanë për synim gazetarët dhe aktivistët kritikë dhe të pavarur, veçanërisht gratë. Për më tepër, veçanërisht kur përdoren terma të tillë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, kemi frikë se komente të tilla mund të ndikojnë negativisht edhe në sigurinë fizike të gazetarëve duke denigruar profesionin dhe duke kontribuar në një klimë armiqësore.
Rasti në fjalë rrjedh nga një artikull i botuar nga një media online dhe i ribotuar nga një tjetër më 4 shkurt, në lidhje me shpenzimet e karburantit të deputetëve të parlamentit. Këto publikime përfshinin një gabim dhe më vonë u ndryshuan, së bashku me një falje publike. Është e rëndësishme që të gjitha mediat të respektojnë standardet profesionale dhe të ndjekin Kodin e Etikës gazetareske. Megjithatë, vlerësojmë se përgjigja ndaj këtyre gabimeve nga zyrtarë të caktuar qeveritarë dhe partiakë ka qenë jo proporcionale dhe ka sjellë armiqësi të pajustifikuar ndaj mediave.
Për më tepër, përdorimi i gjuhës diskredituese përshtatet në një kontekst më të gjerë problematik me anë të së cilit individët e lidhur me Vetëvendosjen përpiqen të minojnë besimin e publikut në media. Ne jemi të shqetësuar se kjo strategji e nxitjes së publikut kundër mediave dhe aktivistëve kritikë dhe të pavarur, është e rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve dhe ka një efekt rrëqethës që minon vlerat demokratike. Në veçanti duke marrë parasysh ambicien e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ne besojmë se është me rëndësi të madhe që politikanët, përfaqësuesit e partive dhe figurat publike të respektojnë lirinë e medias dhe të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.
Prandaj, i bëjmë thirrje Presidentes dhe Kryeministrit që të sigurojnë se një gjuhë e tillë nxitëse e drejtuar ndaj mediave nga aparati i tyre partiak të pushojë, tani dhe në të ardhmen.
Nënshkruar nga:
ARTICLE 19
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Indeksi mbi censurën Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
Rrjeti SafeJournalists (Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë, Asociacioni i Gazetarëve të BH, Asociacioni i Gazetarëve Kroatë, Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë, Sindikata e Mediave të Malit të Zi)
Fondacioni Daphne Caruana Galizia