Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese (DhSGjK) e ka shpallur të papranueshëm referimin e Pjetër Shalës në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave të tij themelore dhe ka hudhur poshtë referimin në tërësi.
Ky vendim, është marrë më 29 gusht 2023 nga paneli i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo është bërë e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), në të cilin njoftim thuhet se Shala kishte dorëzuar këtë referim më 10 korrik 2023.
Tutje thuhet se, paneli ka konstatuar se referimi është i parakohshëm dhe rrjedhimisht e ka shpallur të papranueshëm në përputhje me nenin 113 (7) të Kushtetutës, nenin 49 (3) të Ligjit dhe rregullën 14 (f) të Rregullores së Punës të DhSGjK-së.
Të njëjtin vendin të panelit mund ta gjeni në gjuhën angleze: këtu, ndërkaq lidhjet direkte të të gjitha vendimeve të DHSGJK-së lidhur me referimet e Shalës (3 deri më tani) mund t’i gjeni në faqen e çështjes gjyqësore.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar nëntë dëshmitarë.
Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.
Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.
Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.
Dëshmitari i dhjetë me radhë, eksperti William Goodwin ka përfunduar dëshminë e tij më 4 korrik.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi/