Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në 24 orët e fundit ka pranuar disa raste me lëndime të marra si pasojë e aksidenteve të ndryshme, të shkaktuara kryesisht nga kushtet atmosferike që po mbizotërojnë në vendin tonë.
Skender Fetahu, specializant i mjekësisë emergjente në QKUK, tha për KosovaPress se brenda 24 orëve në Qendrën Emergjente është kërkuar ndihmë në 65 raste, ku 15 prej tyre kanë qenë si pasojë e aksidenteve në trafik, 35 për shkak të lëndimeve ortopedike dhe 15 të tjerë si pasojë e lëndimeve të vogla nga rrëzimet dhe rrëshqitjet.
“Brenda 24 orëve në Qendrën Emergjente kanë kërkuar ndihmë mbi 15 raste prej aksidenteve në trafik në dhomën e reanimacionit, 35 raste në dhomën e ortopedisë për shkak të lëndimeve dhe 15 raste i kemi trajtuar në dhomën e vogël për shkak të lëndimeve në sallën e vogël me ndërhyrje të vogla kirurgjike. 90 % kanë qenë pasojë e bërës, ndërsa 10% prej traumave të ndryshme brenda familjes ose objekteve ku punojnë. Në dhomën e ortopedisë kanë qenë më shumë për shkak të rrëzimeve dhe rrëshqitjeve nëpër ambiente”, tha Fetahu.
Bora e cila për gati dy ditë ra vazhdimisht përcjellur me temperaturat shumë të ulëta, kishte vështirësuar qarkullimin në të gjithë vendin, ku për pasojë pati edhe aksidente dhe të lënduar lehtë.