2.7 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Dhjetëra persona në listën “non-grata” që s’mund të hyjnë në Kosovë

Dhjetëra persona janë përfshirë në listën e të padëshiruarve, “non grata”, të cilët nuk mund të hyjnë, të vizitojnë apo të qëndrojnë në Kosovë. Institucionet e Kosovës konfirmojnë se kanë tashmë të hartuar një listë me emrat e personave dhe zyrtarëve, kryesisht nga Serbia, por edhe nga vendet tjera, të cilët janë të padëshiruar të hyjnë në Kosovë.

Së fundi, kësaj liste i është bashkuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe zyrtari i Kombeve të Bashkuara, punonjës në misionin e UNMIK-ut në Kosovë, Mikhail Krasnoshchenkov nga Rusia, i cili ishte ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës.

Lista me emrat e personave të padëshiruar, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme të Qeverisë së Kosovës, është e gjatë dhe përfshin kryesisht emra të zyrtarëve, politikanëve aktualë dhe ish-udhëheqësve të ushtrisë serbe.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, i thanë Radios Evropa e Lirë, se lista përmban emrat e dhjetëra personave, që kryesisht janë nga Serbia, e të cilët nuk mund të futen në territorin e Republikës së Kosovës.

Liridon Llapashtica, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli, tha se lista përditësohet herë pas here, por kohët e fundit, siç nënvizoi ai, është rritur numri.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka një listë, e cila përditësohet në varësi nga zhvillimet dhe sjellja e Serbisë dhe zyrtarëve të saj. Në kuadër të listës, ka persona të cilët për shkak të kaluarës kriminale, nuk mund të shkelin në territorin e Kosovës, thjesht janë subjekt i arrestimit në momentin që kapen në territorin tonë”.

“Lista me persona ‘non grata’ është instrument përmes të cilit Republika e Kosovës sigurohet që Serbia dhe zyrtarët e saj nuk mund të kalojnë pa masa sanksionuese për aq kohë sa nuk ndërgjegjësohen plotësisht për të kaluarën e tyre, si dhe për shpërfaqjen e mendësisë dhe sjelljes kriminale, ata do të mbahen përgjegjës nga institucionet e Kosovës”, tha Llapashtica.

Lista që Ministria e Jashtme e Kosovës ka me emrat e personave që nuk mund të hyjnë në Kosovës, fillon me emrin politikanit ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, i dënuar nga Gjykata e Hagës, pasuar nga Lubusha Divkoviq, ish-gjeneral i Armatës serbe, pastaj ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes i Serbisë, deri te kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq e të tjerë.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha këto ditë se në Kosovë, sipas saj, ka zyrtarë shtetërorë “që vërtet kanë dalë prej malit”. Për këtë deklaratë pati reagime të shumta në Kosovë, në Bashkimin Evropian, por edhe më gjerë.

Ministri i Punëve të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, është zotuar se sa të jetë ministër i Jashtëm, nuk do të lejojë që kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë.

“Për sa kohë që ajo të ndjekë një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu, ajo nuk do të hyjë në Kosovë”, ka shkruar Pacolli.

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e autoriteteve të ndryshme ndërkombëtare kundrejt një vendi sovran, duhet të jenë në frymën e bashkëpunimin dhe të tilla që e promovojnë miqësinë dhe respektin e popujve dhe jo e kundërta.

Lidhur me rastin e Kosovës dhe Serbisë dhe deklaratave të fundit të kryeministres Bërnabiq, profesori Hoti tha se deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë paqes dhe stabiliteti dhe, siç u shpreh ai, ato janë argumente të mjaftueshme që ajo të mos lejohet të vizitojë Kosovën.

“Nëse presupozohet ose apriori është e ditur që një autoritet i Serbisë nuk po i kontribuon në mënyrë të vazhdueshme parimeve të përgjithshme universale të kombeve të qytetëruara, që janë bashkëpunimi respekti, respekti për pavarësinë dhe sovranitetin e vendit, ato rezervojnë të drejtën që personit të njëjtë të mos i japin leje hyrje dhe të mos i mundësojnë qëndrimin në Kosovë”, shpjegon Hoti.

Sipas tij, në rastin kur deklarimet e udhëheqësve ose diplomatëve nuk janë në frymën e bashkëpunimi dhe nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitet shteti përkatës mund të reagojë në forma të ndryshme.

“Në rastet kur një zyrtar është duke kryer detyra të caktuar e kam fjalën këtu për rangun diplomati ku me veprimet e ndryshme qoftë ato deklarative e mos të flasim për skandale të llojit kur pengohet puna e institucioneve të vendit për të materializuar sundimin e rendit dhe ligjit, atëherë merren masa të caktuara, të cilat mund të jenë e para, njoftimi i shtetit që ka dërguar përfaqësuesi diplomatik dhe nëse shteti dërgues nuk merr ndonjë masë atëherë personi në fjalë mund të shpallet person ‘non grata’ “, tha Hoti.

Sido që të jetë, autoritetet në Kosovë kanë thënë se lista me emrat e zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë, që nuk mund të hyjnë në Kosovë është e shpërndarë në vendkalime kufitare.

Krahas zyrtarëve nga Serbia, ka edhe emra tjerë nga vende tjera, të cilëve është kërkuar t’u ndalohet hyrja në Kosovë. Bëhet fjalë kryesisht për persona, të cilët lobojnë kundër shtetit të Kosovës dhe prezantojnë para botës një pamje, sipas institucioneve, “të rrejshme” për Kosovën.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img