Manastiri i Deçanit ka dhënë më shumë detaje se çfarë diskutua me dhjetëra krerë të misioneve ndërkombëtare, ambasadorë e diplomatë të cilët vizituan këtë manastir.
Në reagim është vënë në qendër kërkesa e këtij manastiri për tokën, duke thënë se është vendim i Gjykatës Kushtetuese që ”institucionet e Kosovës nuk po e zbatojnë”.
”Sot patëm nderin e veçantë të mirëpresim në Manastirin e Visoki Deçanit tridhjetë krerë të misioneve ndërkombëtare, ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të akredituar në Kosovë. Rasti i menjëhershëm i këtij takimi ishte riafirmimi i mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit, një vendim që fatkeqësisht ende nuk është zbatuar nga autoritetet e Kosovës. Ky vendim gjykate u mbështet me vendosmëri nga ambasadorët e vendeve të Quintit si dhe nga shefat e misioneve të BE-së dhe OSBE-së pak ditë më parë, në 7-vjetorin e saj. Për më tepër, ky tubim shërbeu si një mundësi për të shprehur mbështetjen e fuqishme për sundimin e ligjit dhe respektimin e lirisë fetare për të gjitha komunitetet në Kosovë“, thuhet në reagim.
Mysafirët i ka pritur Fr Sava Janjiq, igumeni I Manastirit të Deçanit, duke iu treguar se “me çfarë përballet kisha ortodokse në Kosovë“.
”Pas diskutimit, murgjit e Deçanit shtruan një drekë për të gjithë vizitorët në trapezarinë e Manastirit. Kjo ngjarje vërtet ofroi një mundësi për të shkëmbyer hapur opinione, për të diskutuar një sërë çështjesh dhe në radhë të parë për të forcuar lidhjet ndërmjet Kishës sonë dhe komunitetit diplomatik ndërkombëtar të akredituar në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Manastirit të Deçanit.
”Në përfundim, Fr. Sava shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë vizitorët për mirëkuptimin dhe përpjekjet e tyre kolektive për të vizituar Manastirin. Ai shprehu shpresën se kjo ngjarje do të mbetet në kujtesën tonë para së gjithash si një tubim miqësor në një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë fetare dhe kulturore në Kosovë”, përfundon komunikata.
Çështja e Manastirit të Deçanit ka ngjallur shpesh mospajtime të thella në mes Kosovës dhe Serbisë. /Gazeta Express