Nga Christophe Castaner, Olivier Chastel, Dacian Cioloş, Joseph Muscat, Alexander Pechtold, Matteo Renzi, Albert Rivera dhe Guy Verhofstadt
Në vitin 1918, Europa doli e shkatërruar nga një luftë të përgjakshme, që i la të hapura ndarjet e saj. Në vitin 1939, konflikti shpërtheu sërish, me rrënjët e saj tek fashizmi dhe një krizë ekonomike. U deshën dekada përpjekjesh dhe kompromisesh të vazhdueshme, që një brez të ri t’i ofronte më në fund Europës, atë që liderët që kishin shkuar symbyllurazi në dy luftëra, ia kishin mohuar:një Europë të paqes, prosperitetit dhe solidaritetit.
Kur kanë mbetur edhe 8 muaj nga zgjedhjet për në Parlamentin Europian, ne po bëjmë një apel:ta “rishpikim” Europën, që më në fund ajo të të përmbushë pritshmërinë e qytetarëve të saj, dhe të rimarrë premtimin e saj origjinal. Europa në këtë moment duket shumë e mbingarkuar nga sfidat:ekologjike, ekonomike ose ato të lidhura me emigracionin.
Ajo është e mbingarkuar nga pritshmëria e qytetarëve për më pak rregullime dhe më shumë veprime konkrete. Ajo është e mbingarkuar nga angazhimet që nuk mund t’i mbajë dot më, pasi
i mungon vizioni i përbashkët dhe efektiviteti në funksionimin e tij. Megjithatë, premtimi i Europës nuk është i humbur; thjesht ka rënë në “gjumë”.
Progresi i fundit tek rregullat për punëtorët emigrantë, dhe politikat e mbrojtjes tregon se Europa bën përparim kur vullneti politik, i tubon europianët rreth një projekti të qartë dhe ambicioz. Dhe kur është fjala për tatimin e ekonomisë digjitale, ne vetëm sa kemi filluar, por e dimë se një zgjidhje mbarë-europiane është e vetmja rrugë.
Fjalimi i presidentit francez Emanuel Makron në Sorbonë, e mishëron këtë ambicie:tani na takon neve që ta bëjmë atë realitet. Nuk është thjesht një çështje e tejkalimit të ndarjeve, që kanë çuar në ngërçin aktual. As edhe një çështje për të kujtuar vazhdimisht, se njerëz si Orbanët, Lë Penët dhe Salvinët e Europës, nuk kanë asgjë për të ofruar përtej fajësimit të BE-së për të gjitha të këqijat e tyre. Ne duhet të ofrojmë zgjidhje.
Në vend se të mbështesim thirrjet për të goditur sistemin e drejtësisë dhe opozitën politike, ne kërkojmë respekt të rreptë për sundimin e ligjit, dhe për institucionet demokratike. Në vend se të pranojmë që një kontinent i ndarë dhe i dobësuar, të mbetet në mëshirën e fuqive të tjera të mëdha në botë, ne po bëjmë thirrje për një Europë sovrane, të aftë për të vepruar me forcë në fushat ku shtetet anëtare janë të pafuqishme, në politikën ekonomike dhe monetare, në sigurinë dhe mbrojtjen, mjedisin dhe bujqësisë, politikën sociale, emigracionin, integrimin dhe revolucionin dixhital.
Kjo është edhe arsyeja se pse metoda jonë është e qartë:në vendosmërinë tonë për të rishpikur Europën, nuk është e përjashtuar asgjë. Ne jemi të gatshëm të reformojmë traktatet e BE-së nëse është e nevojshme. Jemi të vendosur të ecim përpara pavarësisht pengesave, duke pranuar se çdo vend duhet të ecë përpara me ritmin e vet. Ne duam një Europë më të fortë, dhe ne do të qëndrojmë të hapur për ata që duan të bashkohen rrugës me ne.
Ne jemi të vendosur të shkojmë përtej strukturave ekzistuese partizane, nëse ato veprojnë si pengesa. Ne jemi të përkushtuar për ta rishpikur Europën së bashku, me burrat dhe gratë që udhëhiqen nga vendet e tyre, nga veriu dhe jugu, nga perëndimi dhe nga lindja, të cilët janë të apasionuar për Europën, dhe të vendosur për të investuar në këtë projekt historik, ndërsa të tjerët janë të kënaqur të recitojnë mallkime ndaj tij.
Tani kemi 8 muaj kohë për të bindur qytetarët e vendeve tona, se Europa e meriton këtë projekt të ri, dhe se qytetarët e meritojnë këtë Europë të re. Koha po mbaron:ne kemi vetëm 8 muaj kohë për të zgjuar Europën.
Shënim: Christophe Castaner, president i “Republika në Marshim” në Francë; Olivie Shastel, kryetar i Lëvizjes Reformatore në Belgjikë; Daçian Çiolos ish-kryeministër i Rumanisë; Josef Muskat, kryeministër i Maltës; Aleksandër Pehtold, kreu i Partisë Demokratike 66 në Holandë; Mateo Renci, ish-kryeministër i Italisë; Albert Rivera, udhëheqës i Ciudadanos, Spanjë; Gi Verhofshtad, është president i Grupit ALDE në Parlamentin Evropian, dhe ish-kryeministër i Belgjikës
Burimi: “The Guardian” – Në shqip nga bota.al