Site icon PrishtinaPress

Deskalimi në veri “i pamjaftueshëm” për BE-në, hapat e Kosovës s’konsiderohen të qëndrueshëm

Bashkimi Europian nuk e konsideron të përmbyllur çështjen e depërshkallëzimit të situatës në katër komunat në Veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime duke e reduktuar praninë e policisë nga dhe përreth objekteve atje, 2 herë nga 25 përqind, por kjo nuk mjafton për BE’në.

Shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell pas takimit të 14 shtatorit ku Kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq nuk arritën ndonjë marrëveshje, e ka përmendur edhe këtë çështje.

“Janë ndërmarrë disa hapa nga Kosova dhe ne i mirëpresim – disa – por ata nuk përmbushin kërkesat e bëra për deeskalim të plotë”, ka thënë Borrell.

“Si kujtim, të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian – të gjitha së bashku – kanë kërkuar qartësisht hapa konkretë për zgjidhjen e krizës aktuale.

Janë ndërmarrë disa hapa nga Kosova dhe ne i mirëpresim – disa – por ata nuk përmbushin kërkesat e bëra për deeskalim të plotë” ka theksuar ai.

Tutje Borrell u ka kërkuar veprime të dyja palëve në mënyrë që të mbahen zgjedhje në ato komuna.

“Ne përsëri i kërkuam të dyja palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme në veri të Kosovës për të de-përshkallëzuar situatën, për të shmangur çdo destabilizim të mëtejshëm dhe për të mundësuar mbajtjen e menjëhershme të zgjedhjeve të reja të parakohshme lokale. Nuk mund të rrimë e të presim krizën e radhës. Kjo duhet të ndodhë menjëherë, në përputhje me kërkesat e bëra nga Bashkimi Europian dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar” ka thënë kryediplomati europian.

Ndryshe, para dy ditësh ishte takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Takimi i fundit mes bartësve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 2 maj, – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Kryetarët e rinj shqiptarë që dolën nga këto zgjedhje po kundërshtohen nga serbët lokalë. Hyrja e tyre në ndërtesat komunale në fund të majit, rriti tensionet të cilat u përshkallëzuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, pas përleshjes së protestuesve serbë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Prishtinës i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq Beogradit që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në votime.

Së fundi, Kosova ka paraqitur një udhëzim administrativ që u mundëson qytetarëve të largojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.

Kosova po ashtu po kërkon që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit që arriti me Serbinë në shkurt në Bruksel. Në mars, në Ohër palët arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.

Në 11 nenet e marrëveshjes nuk përfshihet njohja reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Kosova kërkon që në fund të procesit të arrihet një marrëveshje ku do të përfshihej edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi-pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Exit mobile version