Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka miratuar sërish Projektligjin për dhënien në shfrytëzim Danimarkës qendrën e paraburgimit në Gjilan, pavarësisht se i njëjti ishte rrëzuar në Kuvend.
Bajrami ka ritheksuar kundërshtinë e saj ndaj këtij Projektligji duke shtuar se Kosova nuk duhet të shndërrohet në vend për të burgosur.
“Kosova duhet të krijojë kushte për investime të huaja.” – ka thënë tutje deputetja Bajrami.
Postimi i plotë:
Parlamenti i Republikës së Kosovës e ka rrëzuar me votë Marrëveshjen e Ndërkombëtare për dhënien në shfrytëzim Danimarkës qendrën e paraburgimit në Gjilan.
Qeveria sot në një mbledhje online e ka miratuar edhe një herë këtë projektligj me qëllim që prapë ta sjellë këtë marrëveshje në Kuvend.
Unë kam votuar kundër javën e kaluar do të votoj prapë kundër. Miratimi i kësaj marrëveshje është gabim dhe nuk duhet të bëjmë Kosovën vend për të sjellë të burgosur. Kosova duhet të krijojë kushte për investime të huaja.
Dështuan të sjellin investime, po tentojnë të sjellin të burgosur.
Po ja rikujtoj Qeverisë se sipas raporteve të ministrisë se Financave në tri vitet e fundit kanë paguar 34 milionë euro qira, për shfrytëzimin e ndërtesave private për institucionet publike.
Ndërtesat publike duhet të përdoren veç për interesat e qytetarëve, e sjellja e të burgosurve nga Danimarka, e të cilët as të këtij vendi nuk janë veç interes qytetar nuk mund të jetë.