Në mungesë të dy të dëmtuarve Arbnor Mustafa dhe Ifaket Zhuani, ka dështuar të mbahet seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Mimoza Beqiri, Ardian Hamiti, Betim Ismaili dhe Behare Bajrami, po akuzohen për falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ndërsa, Bajrami po akuzohet edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” nga neni 422, par. 1 të Kodit Penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për të dëmtuarit Mustafa dhe Zhuani, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi tha se ndaj të tyre kishte lëshuar urdhëresë për verifikim adrese, mirëpo në bazë të të dhënave që i disponon gjykata dhe policia, e kanë pasur të pamundur t’ua gjejnë adresën përkundër përpjekjeve të vazhdueshme.
Ndërkaq, për të dëmtuarit Ferat Maliqi, Blerta Mjeku dhe Riza Ukelli, gjykatësja Bytyqi ka konstatuar se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, por nuk ishin të pranishëm dhe deri më tani nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.
Në këtë seancë, po ashtu nuk ishte e pranishme as mbrojtësja e të akuzuarës Beqiri, avokatja Marigona Lajqi, për të cilën gjykatësja tha se e njëjta e ka njoftuar se nuk mund të jetë e pranishme në këtë seancë, pasi që është dekretuar si gjykatëse.
Pasi që me Kodin Penal parashihet që të dëmtuarit të jenë së paku të njoftuar për seancë, gjykatësja Bytyqi seancën e ka shtyrë për 26 korrik 2023.
Ndryshe, ky rast më parë është gjykuar nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, mirëpo pas avancimit të tij në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, lënda i ka kaluar gjykatëses Medie Bytyqi.
Po ashtu, në këtë rast Mimoza Beqiri dhe Behare Bajrami akuzoheshin se së bashku me Ermal Durakun, Anton Jakajn, Daut Ademajn, Ilir Muratin, Rajmonda Osmanin dhe Edona Sallahun kishin kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Lajmërim i rremë” nga neni 390, paragrafi 1 të KPRK-së, mirëpo për këto vepra penale ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.
Sipas aktakuzës, Mimoza Beqiri, Ermal Duraku, Anton Jakaj, Daut Ademaj dhe Ilir Murati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në vazhdimësi kanë mashtruar të dëmtuarit se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme dhe nga ta kanë përfituar shuma parash, duke filluar nga 2 mijë e 100 euro dhe 5 mijë euro për një regjistrim.
Me këtë, thuhet se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në vazhdimësi”, neni 335, paragrafi 1 i KPRK-së.
E akuzuara Behare Bajrami, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare.
Bajrami, gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëveprim me të pandehurit Beqiri, Duraku, Jakaj dhe Ademaj kanë regjistruar të dëmtuarit në fakultete të ndryshme, duke përfituar shuma prej 2 mijë e 100 euro e deri në 5 mijë euro.
Bajrami në cilësinë e bibliotekares në Fakultetin e Edukimit, sipas aktakuzës, ka shfrytëzuar pozitën e saj për t’i bindur të dëmtuarit se është personi kompetent për regjistrimin e tyre në fakultete, derisa e njëjta është vërejtur nga zyrtarët e UP-së.
Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, neni 422 i KPRK-së.
Tutje, Prokuroria akuzon Mimoza Beqirin, Behare Bajramin dhe Raimonda Osmanin se kanë tentuar të mashtrojnë Arta Bajramin dhe Valon Imerin se do t’i regjistrojnë në Fakultetin Juridik dhe me këtë kanë kryer veprën penale “Mashtrim në tentativë”, neni 335 i KPRK-së.
Ndërsa, e akuzuara Edona Sallahu, sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të sugjerimeve të Mimoza Beqirit, ka raportuar rrejshëm se i ka humbur kuleta me dokumentacion e në mesin e tyre edhe ID e Fakultetit të Mjekësisë edhe pse asnjëherë nuk ka qenë e pajisur me këtë kartelë.
Sipas kësaj, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim rremë”, neni 490 i KPRK-së.