Gjykata Themelore në Gjilan e ka refuzuar kërkesën e Gëzim Tosunit, nipit të zv/kryeministrit, Besnik Bislimi, i cili rreth dy vjet më parë paditi Universitetin e Gjilanit me kërkesë për kompensim në vlerë prej mbi 2 mijë eurove.
Padia e Tosunit kundër Universitetit Publik të Gjilanit ndërlidhet me një vendim të Universitetit për mosavancimin akademik, pavarësisht prej rekomandimit të komisionit vlerësues për gradimin e tij.
Tosuni kishte paditur Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, duke kërkuar nga ky institucion që t’ia lidhë kontratën e punës në pozitën Profesor i Asociuar nga data 01.10.2019 e deri me datë 31.09.2023, sipas konkursit dhe rekomandimit të komisionit.
Mirëpo, në një vendim të nxjerrë më 15 janar të këtij viti, gjykata e ka hedhur poshtë padinë.
Paditësi në padinë dhe kërkesëpadinë e tij, deklarimet dhe thëniet në seancat gjyqësore, si dhe fjalën përfundimtare ka theksuar se i njëjti që nga data 01.10.2014 është në marrëdhënie pune në thirrjen akademike Profesor Asistent tek Universiteti.
I njëjti po ashtu theksonte se UKZ-ja me datë 14.06.2019 ka shpallur Konkursin më 14.06.2019, për zgjedhjen/rizgjedhjen e personelit të rregullt akademik në njësitë akademike të UKZ në Gjilan, për vitin akademik 2019/2020 dhe se paditësi kishte aplikuar për thirrjen akademike Profesor i Asociuar në Fakultetin Ekonomik në këtë institucion.
Ndërkaq, siç thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Gjilanit, më datë 29.10.2019, e Universiteti i Gjilanit ka nxjerrë vendimin me të cilin ka zgjedhur/rizgjedhur paditësin në thirrjen akademike Profesor Asistent dhe nuk është zgjedhur në thirrjen akademike Profesori i Asociuar, siç ishte rekomanduar nga Komisioni Vlerësues për Zgjedhjen e Personelit dhe ndër të tjera ky vendim nuk përmban arsyetim se përse paditësi edhe përkundër që është rekomanduar për pozitën Profesor i Asociuar, i njëjti nuk është përzgjedhur.
Më pas, sipas Gjykatës, Universiteti i Gjilanit, më datë 07.02.2020 ka ushtruar përgjigje në padi për pretendimet e palës paditëse duke e kontestuar bazën juridike dhe faktike të padisë dhe duke e konsideruar kërkesëpadinë si të pabazuar në ligj dhe të parakohshme.
“E njëjta po ashtu, si në përgjigje në padi, edhe në thëniet dhe deklarimet në seancat gjyqësore, si edhe në fjalën përfundimtare ka theksuar se paditësi nuk i ka plotësuar kushtet për të u zgjedhur në thirrjen akademike Profesor i Asociuar”, thuhet në aktvendim.
Gjykata erdhi në përfundim se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar, për shkak se, paditësi përmes padisë “ka kërkuar nga gjykata që të detyrojë të paditurën të lidhë kontratën e punës me paditësin në pozitën e Profesorit të Asociuar me përmbajtjen e cekur sikur në pikën I të dispozitivit të këtij aktgjykimi, e ne rastin konkret gjykata vlerëson se nuk ka tagër që të vendos sipas kërkesës së paditësit”.
Edhe një vit më parë, pati pasur raportime për nipin e Besnik Bislimit.
Tosuni ishte propozuar për anëtar të KShC-së nga Qeveria, në të cilën daja i tij ushtron pozitën e dytë më të rëndësishme.
Qeveria e Kosovës kishte miratuar me shumicë votash propozimin për emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mesin e të cilëve ndodhet edhe Tosuni.
Në mbledhjen e 12-të të mbajtur vitin e kaluar, ekzekutivi procedoi në Kuvend propozimin për emërimin e Gëzim Tosunit dhe tre anëtarëve të tjerë vendorë në organin vendimmarrës të Agjencisë së Akreditimit (AKA). Paraprakisht, Tosuni dhe të tjerët i ishin rekomanduar qeverisë nga një komision i posaçëm qeveritar.
Për një votë pro propozimit të Tosunit – ish-Dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit Publik të Gjilanit – dorën e ngriti edhe daja i tij, Besnik Bislimi, njeriu i dytë i qeverisë.
“Kemi lidhje familjare, në kuptimin që ne në Kosovë gati gjithmonë jemi diku – takohemi me njëri tjetrin. E gjeni [lidhjen familjare [v.j], qato informatat prej nga jeni informuar; jo që turpërohem, nuk kam nevojë me u fsheh”, pati deklaruar Tosuni, vitin e kaluar, teksa kishte mohuar ndikimin e mundshëm të Bislimit në propozimin e tij për anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
“Absolutisht nuk ka ndikuar, sepse kur të informoheni pak më shumë e shihni se si ka shkuar procedura dhe e dini që nuk ka pasur mundësi për të ndikuar. Unë mund të them që nuk ka pasur kurrfarë ndikimi”.
Përpos Tosunit, Qeveria kishte miratuar edhe tre emra të tjerë për të mbuluar pozitat e anëtarëve vendorë në KShC, të cilat kishin mbetur vakante që prej dorëheqjes së pesë ish-anëtarëve vendorë të saj në muajin shkurt.
Hasnije Ilazi, Krenare Pireva-Nuçi dhe Seb Bytyçi, bashkë me Tosunin, janë propozuar për të zëvendësuar të dorëhequrit në KShC, pas një procesi që nisi më 2 prill të 2021-ës me hapjen e konkursit nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.