Site icon PrishtinaPress

Dështon për herë të tretë konkursi për drejtor të Agjencisë së Akreditimit

Për herë të tretë brenda tetë muajve ka dështuar konkursi për drejtor të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

Së fundi, më 17 prill të këtij viti, Ministria e Administratës Publike kishte hapur konkurs për plotësimin e kësaj pozite.

Konkursi është anuluar ditë më parë për shkak se në Komisionin e Ankesave të MAP-it janë adresuar dy ankesa nga kandidatët që kanë aplikuar për drejtor të AKA-së e të cilët nuk janë ftuar fare në intervistë.

Udhëheqësi i Departamentit të komunikimit publik në MAP, Zeqir Bekolli, ka bërë të ditur për gazetën se konkursi është anuluar pasi që komisioni e ka marrë për bazë njërën nga ankesat e kandidatëve.

“Pas njoftimit të publikuar nga MAP-i për tre kandidatët më të mirë për pozitën drejtor në Agjencinë e Kosovës për Akreditim janë paraqitur dy ankesa, nga dy kandidatë që nuk kanë qenë në intervistë, Osman Shahini dhe Anton Gojani. Ankesa e Gojanit është refuzuar nga Komisioni i ankesave për pozitat e nivelit të lartë drejtues me arsyetimin se është vërtetuar se ftesa nga Sekretariati i MAP-it i është dërguar Gojani në adresën që ai e ka shkruar në aplikacionin e tij”, ka thënë Bekolli.

Ndërkaq ankesa e Shahinit, sipas tij, është pranuar nga komisioni pasi është vërtetuar se ai nuk e ka pranuar ftesën për intervistë nga Sekretariati i MAP-it dhe se ftesa është dërguar gabimisht.

Exit mobile version