2.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Dështon gjykimi për vrasjen e policit në ndejën në Zllatar, përfaqësuesi i palës së dëmtuar i angazhuar në tjetër rast

Për shkak se përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha, ishte i angazhuar në një rast tjetër, ka dështuar të mbahet seanca e së martës, në rastin ku Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta anëtarin e Policisë së Kosovës, L.H. në një ndejë të organizuar nga pjesëtarët e PK-së në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti tha se avokati Berisha e ka njoftuar më 6 mars 2023 përmes e-mailit, se nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Shyti, përmes këtij e-maili, avokati Berisha e ka njoftuar se për shkak të një angazhimi tjetër në Departamentin Special, e ka të pamundur që të jetë i pranishëm në këtë seancë dhe ka kërkuar që e njëjta të shtyhet për një datë tjetër.

Po ashtu, shtyrja e kësaj seance është kërkuar edhe nga pala e dëmtuar, L.H (motra e viktimës), pasi që sipas saj, prania e avokatit është e domosdoshme edhe pse e njëjta tha se nuk ka ndonjë ankesë konkrete ndaj askujt.

Gjithashtu, ajo ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet edhe për shkak të mungesës së nënës së tani të ndjerit L.H., e cila sipas saj për shkaqe shëndetësore dhe nuk mund të marrë pjesë në seancë.

Andaj, gjykatësi Shyti ka konstatuar se në mungesë të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Besnik Berisha, nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor.

Ndërkaq, seanca e radhës është caktuar më 14 prill 2023, pasi që sipas gjykatësit Shyti të gjitha terminet e mëhershme janë të zëna me seanca tjera.

Po ashtu, gjykatësi tha se avokati Berisha do të ftohet me ftesë të rregullt, kurse për të akuzuarin Fatlum Mehmeti, do të lëshohet urdhëresë për sjellje, për shkak se i akuzuari gjendet në masën e paraburgimit.

Ndërsa, i pranishëm ishte edhe dëshmitari Florent Ahmeti.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” 9mm, deri sa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendos atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heq karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img