Site icon PrishtinaPress

Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve për përvetësimin e mbi 1 milion eurove

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësore ndaj zyrtarit te Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Mendim Sojeva dhe zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Ganimete Gashi– Ahmeti, pasi që prokurori Haki Gecaj ka dal në pension.

Gjithashtu gjykatësi i rastit Vesel Ismaili njoftoi se lënda është bartur te prokurori tjetër Burim Qerkini, por se i njëjti nuk mund të prezantoj për seancën e ditës së hënë dhe të martë pasi që gjendet në pushim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avanca i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë-tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre, thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avancave, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mijë e 764 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancat në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj–Veseli, shuma prej 553 mijë e 269 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156 mijë e 750 euro dhe Bali Morina shuma prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avancat e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletëtërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avanca ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva, i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri më 12 shkurt 2018, përmes ueb-shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morinës.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kuponë shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 72 skuponë në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime, Sojeva po ngarkohet me veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje më të akuzuarën Ganimete Gashi–Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”. /BetimipërDrejtësi

Exit mobile version