Site icon PrishtinaPress

“Dështimi më i madh i kësaj qeverisjeje është izolimi dhe stagnimi i vendit”, Haradinaj prezanton kandidatët nga Podujeva

Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Podujeva.

Haradinaj ka akuzuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për izolimin e Kosovës dhe stagnim.

“Dështimi më i madh i këtij qeverisje është pikërisht izolimi dhe stagnimi i vendit tonë. Sot, Kosova është më e vetmuar se kurrë në arenën ndërkombëtare, ndërsa qytetarët tanë po vuajnë pasojat e një udhëheqje të paaftë që as nuk e kupton e as nuk di ta menaxhojë situatën”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka prezantuar tre kandidatët për deputetë nga Podujeva.

“Podujevës, qytetit të heronjve dhe patriotëve, i takon një e ardhme më e mirë. Sot, bashkë me Besnik Tahirin, Arbnor Fazliun dhe Burim Hasanin, prezantuam programin tonë konkret për transformimin e vendit. Ne do të sigurojmë anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO përmes Planit Aksional, një kthesë vendimtare që do të garantojë sigurinë dhe do të hapë dyert për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj është zotuar se do të ndalë ikjen e të rinjve nga Kosova.

“Programi ynë për Kosovës Fituese mes tjerave parasheh masa si: Rritja e pensioneve të veteranëve dhe atyre të moshës në 500 euro që në vitin e parë të qeverisjes. “Pakoja për Mirëqenien e Familjes” do të sigurojë shtesa për fëmijë dhe lehona, përkujdesje për të moshuarit, mbështetje për personat me nevoja të veçanta dhe banim për çiftet e reja. Nuk do të lejojmë që rinia jonë të largohet – do të krijojmë mundësi reale punësimi përmes projekteve konkrete që sjellin rezultate të menjëhershme.

Kosova do të fitojë, sepse e meriton më të mirën!”, ka përfunduar Haradinaj.

Exit mobile version