Kosova është renditur ndër të fundit në tri testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve PISA.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Kosovë, kanë thënë se Kosova është renditur në vendin e 73-të në matematikë – fushën kyçe në testim – dhe në vendin e 74-të në lexim.
Në të dyja fushat, Kosova ka pësuar rënie në përformancë me 11 pikë më pak, në krahasim me testet e vitit 2018.
Në shkencë, Kosova është renditur e 76-ta, me gjashtë pikë rënie.
Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka thënë se pandemia e koronavirusit ka ndikuar në këtë rezultat.
“Rezultatet të cilat janë bërë publike sot, kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh se në këtë cikël të testimit, që u organizua në pranverën e vitit 2022, kemi pasur një situatë menjëherë pas pandemisë”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Mes tjerash, ajo ka përmendur se rezultat të ngjashëm kanë parashikuar edhe raportet vendore dhe ndërkombëtare, dhe se pandemia ka ndikuar në performancë, edhe në vendet tjera.
“Në Kosovë ka pasur edhe situata tjera, pandemia ka gjetur shkolla me sfida të ndryshme në implementim të teknologjisë, mësimi nga distanca, ndërrimet e shumta në politikëbërje në qeverisje”, ka thënë mes tjerash ajo.
Nga Kosova kanë marrë pjesë 6.027 nxënës nga 229 shkolla.
Testet PISA organizohen prej vitit 2000, dhe më 2022 është mbajtur cikli i tetë.
Ai ishte planifikuar të mbahej më 2021, mirëpo ishte shtyrë për shkak të pandemisë.