Ndonëse ka më shumë se një vit jetë, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të jetë e pasigurt në funksionimin e saj.
Madje vlerësohet se shkas për rrëzimin e saj mund të bëhen pikërisht temat e mëdha, siç është dialogu me Serbinë, shtyrja eventuale e liberalizmit të vizave.
Përveç që tashmë janë dhënë sinjale se liberalizimi mund të mos përmbyllet deri vitin që vjen, kryeministri Haradinaj tashmë ka marrë alarmin nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, se shumë shpejt mund ta përfundojë punën si kryeministër, shkruan Zëri.
Ky “kërcënim” i presidentit ndaj shefit të ekzekutivit ka ardhur pas mospajtimeve të tyre lidhur me dialogun, respektivisht me idenë e Thaçit për korrigjim të kufirit me Serbinë.
Analistët politikë vlerësojnë se ngecja në këto procese të rëndësishme për vendin, si dhe aktivizimi i Gjykatës Speciale janë përcaktorë të mundshëm për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Megjithëkëtë, përfaqësuesit e pushtetit shprehen të sigurt se qeveria aktuale nuk do të rrëzohet.