Në fshatin Gradicë të Drenasit, sot është mbajtur një akademi përkujtimore për 20 vjetorin e rënies së dëshmorit Lec Gradica, të cilit iu nda titulli “Hero i Kosovës”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se doktor Lec Gradica ka qenë shëmbëlltyrë e humanizmit dhe e atdhedashurisë.
Veseli e quajti Lec Gradicën mjek legjendar, dhe tha se ai dha jetën që të tjerët të vazhdojnë luftën për liri.
“Është vendlindja e doktor Lecit, mjekut legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithë dëshmorët e lirisë janë të njëjtë, sepse të njëjtë e kanë idealin për të cilin ata u flijuan, dhanë jetën për atdhe. Po kur në mesin e tyre kemi mjek e dëshmorë, kjo fiton një dimension të veçantë. Doktor Leci ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes së lirisë, ai ishte mjeku i plagëve të lirisë dhe në fund edhe vet u bë dëshmor i saj”, ka thënë Veseli.
Në emër të presidentit Hashim Thaçi, foli këshilltari i tij Ismajl Syla, i cili tha se Gradica kishte qenë vlerë e njeri modest.
Ai ndau edhe mirënjohje për familjen e Lec Gradicës, duke i ndarë titullin “Hero i Kosovës”.
“Doktor Leci ka qenë vlerë, ka qenë trashëgimtar i një familjeje shumë të respektuar, ka qenë një njeri modest dhe prandaj vlerat e tij nuk mund të shuhen. Margaritarit thuhet mund t’i hidhet balta, por atij i hiqet balta dhe shkëlqen. Sot kam nderin që në emër të Presidentit t’ia jap familjes së doktorit Urdhrin “Hero i Kosovës”, që e ka ndarë për doktor Lecin”, ka thënë Syla.
Kurse bashkëluftëtari i doktor Lecit, Naim Bardiqi, tha se është e vështirë të përshkruhet vepra e Lec Gradicës, dhe dëshmorin e quajti si një nga figurat më eminente të UÇK-së.
“Një nga figurat më eminente të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë patjetër doktor Leci i cili me veprimtarinë e tij, intelektin, dijen që ka pasur dhe tërë pasurinë e familjes, bashkë me bashkëshorten, iu vunë atdheut në shërbim, duke sakrifikuar edhe jetën e tij, duke u bërë shembull për të gjithë gjeneratat që do të vijnë pas”, ka thënë Bardiqi.
Ndërsa vajza e doktor Lecit, tashmë doktoreshë me profesion, Lavdije Leci, tha se ndihet krenare kur e kujton se sa jetë ka shpëtuar babai i saj. Ajo tregoi se gjatë luftës shumë pak e kishte parë babain e saj, teksa ai po merrej me të plagosurit, dhe tha se ai ia ka mësuar atdhedashurinë.
“Babi im më ka mësuar se si ta dua vendim tim edhe si t’i ndihmoj njerëzve në nevojë. Ai kishte një humanizëm të paepur edhe një atdhedashuri të trashëguar, sepse ai ishte shumë i vetëdijshëm se si fitohet liria, sepse sakrifica sublime bëjnë vetëm ata që e dinë se si fitohet liria”, ka thënë Leci.
I pranishëm në këtë akademi ishte edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se doktor Leci edukimin e tij e zbatoi më së miri, duke i ndihmuar UÇK-së por edhe përtej saj.
Kurse historiani Besim Morina, foli për shkollimin e doktor Lecit dhe tha se ai kishte bërë vizita të shumta mjekësore edhe për familjet në nevojë. Morina tha se doktor Lec Gradica është shembull se si duhet mbajtur betimi i Hipokratit. Kjo akademi përkujtimore u organizua nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.