Site icon PrishtinaPress

Dëshmitarja thotë se Pjetër Shala së bashku me dy persona të tjerë ia keqtrajtuan burrin në Kukës

Dëshmitarja e mbrojtur e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të martën, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka thënë se burri i saj ishte keqtrajtuar nga Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi dhe Pjetër Shala në një fabrikë metali në Kukës.

Dëshmitarja deklaroi se burrin e saj e kishin marrë me forcë 4 persona të armatosur derisa ishte në shoqëri me djalin dhe me pronarin e shtëpisë ku po qëndronin në Shqipëri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, ata kishin rezistuar, por personat e kishin marrë me forcë nën kërcënimin e armeve.

Tutje, ajo shtoi se djali, i cili ishte me babanë, kishte ardhur shpejt në shtëpi dhe ju kishte treguar ngjarjen dhe ata kishin dalë se bashku me fqinjët dhe kishin tentuar ta ndalnin makinën duke e gjuajtur me gurë, por që nuk ja kishin arritur. Pastaj, ajo tha se rastin e kishin raportuar në një stacion të policisë në Durrës.

Dëshmitarja me numër 6 shtoi se gjatë rrugës për në Kukës, burrin e saj, e kishin dërguar tek një vend qe quhej “Ramallak” në një bunkerë, e kishin torturuar me mjete të forta dy persona dhe se siç i kishte treguar burri, ata kishin biseduar mes vete se cili do ta vriste.

Tutje, ajo shtoi se gjatë atyre 13 ose 14 ditësh sa ishte mbajtur ne Kukës, një herë kishte thirrur në telefon dhe ju kishte thënë se është gjallë dhe mirë, por nuk e kishin lënë të ju tregonte vendin se ku ndodhet.

Në pyetjen e prokurores Gaia Pergolo se kur e ka parë përsëri burrin, dëshmitarja u përgjigj se e kishte parë pas 13 ose 14 ditësh, kur policia e kishte sjell në shtëpi.

Tutje, ajo e përshkroi gjendjen e tij si tepër të rëndë i përgjakur në tersi, nga terurat, duke shtuar se “kushdo që është qenie njerëzore nuk e banë një gjë të tillë, veç kriminelet”.

Sipas dëshmitares, viktima e kishte të thyer dorën e majtë si dhe kishte shumë lëndime nëpër trup, kokë dhe këmbë, nga torturat që ishin ushtruan ndaj tij.

Gjithashtu, ajo shtoi se burri i saj i kishte treguar se gjatë marrjes në pyetje ishte akuzuar pse ishte shoqëruar me serbë dhe se ishte torturuar nga Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi dhe Pjeter Shala, e që sipas dëshmitares, Shala i kishte thënë se ishte ai që e kishte sulmuar kafenenë dhe shtëpinë e tyre.

Paraprakisht në seancën e sotme dëshminë e tij e ka vazhduar dëshmitari i parë i prokurorisë i emëruar si TW4-08, të cilën dëshmi e ka filluar të hënën.

Seanca vazhdoi me parashtrimin e pyetjeve nga ana e mbrojtjes se të akuzuarit Pjeter Shala, avokatit Jean -Louis Gilissen, i cili e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratat që kishte dhënë më parë, përfshirë edhe ato për Tribunalin për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

Sipas Gilissen, dëshmitari aso kohe kishte deklaruar se nuk ka qenë në shtëpi kur herën e parë kishin shkuar pjesëtarët e UÇK-së. Në këtë pyetje ndërhyri gjykatësja Veldt-Foglia, e cila tha se ketë çështje e kishin sqaruar më parë.

Gjithashtu, prokurori Filippo De Minicis, shtoi se ato nuk ishin deklarata por vetëm disa shënime të cilat i kishin mbajtur hetuesit e Tribunalit për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, dhe se të njëjtat nuk ishin te nënshkruara nga dëshmitari.

Seanca vazhdoi me pyetjet nga Trupi Gjykues, ku dëshmitari deklaroi se babai i tij e kishte humbur shikimin në vitin 2008, si rezultat i torturave që ishin ushtruar ndaj tij në kampin, siç i referohej ai, në Kukës.

Me këtë deklarim e përfundoi dëshminë dëshmitari i parë.

Mirëpo, avokati Gilissen, i kërkoi gjykatës qe ta lejoj klientin e tij të largohet nga salla, pasi ai nuk ndihej mirë.

Sipas Gilissen, ai kishte biseduar dy here me të dhe Shala ishte i tensionuar shumë dhe po dridhej i teri.

Lidhur me këtë kërkesë, gjykatësja Veldt-Foglia, i kërkoi Shalës që të heq dorë nga e drejta për të marrë pjesë në seancë dhe pasi Shala u pajtua me ketë dhe prokuroria dhe mbrojtja e viktimave nuk kishin kundërshtime, gjyqtarja Veldt-Foglia, urdhëroi shoqërimin e tij për në qendrën e paraburgimit.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Exit mobile version