Site icon PrishtinaPress

Dëshmitarja: Nuk e di si pasaporta ime kishte përfunduar në shtëpinë e Ukë Rugovës

Dëshmitarja Hajrije Kutllovci, ka deklaruar se nuk e din se si pasaporta e saj kishte përfunduar në shtëpinë e Ukë Rugovës, pasi që ajo kishte aplikuar për vizë në Ambasadën e Italisë, në Prishtinë.

Një deklarim të tillë, ajo e ka bërë në seancën e së hënës, në rastin ku për dallavere me viza italiane akuzohen ish-deputeti Ukë Rugova, ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija dhe tre persona të tjerë.

Për këtë rast, të akuzuar janë edhe 15 persona të tjerë, mirëpo ndaj tyre është veçuar procedura në mënyrë që rasti të përfundojë më shpejt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kutllovci, e ftuar si dëshmitare nga PSRK-ja, ka thënë se kishte aplikuar për vizë italiane, por që një të tillë, nuk kishte arritur që ta siguronte, pasi që sipas saj, ishte njoftuar nga ana e Ambasadës Italiane, se i kishte humbur pasaporta.

Më pas, ajo ka thënë se e kishin telefonuar nga policia dhe i kishin thënë se pasaporta e saj ishte gjetur te Ukë Rugova.

“Unë ju kom thanë edhe policëve se nuk e njoh Ukë Rugovën, as kurrë se kom pa. Unë s’kom pagu asnjë cent për vizë se edhe nuk e kom marrë në fund hiq”, ka thënë Kutllovci.

Por, ajo ka mohuar se kishte njohur të akuzuarin Florjan Petani, ashtu siç kishte deklaruar në polici, duke shtuar se nuk e ndien vetën të dëmtuar.

“Unë nuk jom e interesume ma kurrë me apliku për vizë, e as që e ndjej vetën të dëmtuar”, tha ajo në fund të dëshmisë së saj.

Ajo ka shtuar se kishte aplikuar për vizë italiane, pasi që kishte pasur probleme shëndetësore dhe kishte dashur të shkonte në Gjermani për kontroll.

Përveç saj, në seancën e së hënës janë dëgjuar edhe tre dëshmitarë të tjerë të ftuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Fefzi Caka, Ahmet Lipaj dhe Shyqeri Zatriqi kanë dhënë dëshmitë e tyre, lidhur me aplikimin që kishin bërë për viza italiane, në periudha të ndryshme kohore.

Dëshmitari i dytë, Shyqeri Zatriqi, tha se nga të akuzuarit njeh vetëm Astrit Haraqinë, duke shtuar se qëndron prapa deklaratës së dhënë më parë për këtë rast në polici.

“Unë kom marr dy viza gjermane, e një shengen italiane. Këtë vizën italiane e kom marrë gjatë vitit 2009-2010, sepse ka qenë vizë njëvjeçare”, tha Zatriqi.

Pasi që prokurorja Florije Shamolli, vazhdoi me pyetje ndaj Zatriqit, pati kundërshtim nga mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha, me pretendimin se nuk ishte objekt akuze viti 2009 dhe 2010, andaj sipas tij, prokurorja nuk ka të drejtë të marrë në pyetje dëshmitarit për këtë periudhë.

Në sallë u krijua konfuzion pasi që kur kishte marrë dëshmitari vizë nuk ishte koha prej kur akuzohen për dallavere me viza italiane pesë të akuzuarit, ndërsa gjykata aprovoi kundërshtimin e avokatit Berisha dhe kërkoi nga prokurorja Florije Shamolli, që dëshmitarit t’i parashtrojë pyetje vetëm lidhur me aktakuzën.

Më pas, dëshmitari u ballafaqua nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica me disa kërkesa për pajisje me vizë që ishin bërë në emër të tij.

Dëshmitari tha se kërkesa për vizë italiane, në cilësi të truprojës së familjes Rugova, nuk ishte me nënshkrimin e tij, ndërsa pohoi se pasaporta e treguar nga gjykata është e tij.

Prokurorja Shamolli, e ballafaqoi atë me një deklaratë që ai kishte dhënë në polici ku kishte deklaruar “unë isha pa punë dhe kisha nevojë me shku në Gjermani, e pasi që Astrit Haraqinë e kom mik i kom kërku mem ndihmu me marrë një vizë, ai më ka thënë me ia sjell dy fotografi dhe pasaportën, në vitin 2009”.

Lidhur me këtë deklarim, dëshmitari u përgjigj se vizë ai kishte marrë në vitin 2009 dhe jo më vonë, duke shtuar se nuk ndihet i dëmtuar.

Se nuk është i dëmtuar e tha edhe dëshmitari i tretë, Ahmet Lipaj, i cili tha se kishte aplikuar për vizë italiane, me procedurë normale, ku një agjenci i kishte bërë gati të gjitha dokumentet për të.

Ai tha se e njeh të akuzuarin Izet Beqiri, pasi që e ka mik që nga viti 2002, e që kur kishte aplikuar për vizë italiane, sipas tij, e kishte parë rastësisht në një piceri dhe e kishte pyetur se a i din si janë procedurat për aplikim.

Në fund, dëshmitari tha se mohon që përmes Izet Beqirit kishte për të marrë vizën italiane, duke shtuar se në polici deklarata që ai kishte dhënë nuk është e saktë.

Lipaj tha se vetëm e kishte nënshkruar deklaratën në polici, por nuk e kishte lexuar të njëjtën, sepse ishte marrë në pyetje për më shumë se tri orë me ndërprerje dhe se e kishte konsideruar si presion marrjen në pyetje në formën e tillë.

Më pas, gjykatësja Krasniqi-Jashanica, iu drejtua prokurores Shamolli me fjalët “nuk po vini të përgatitur për të bërë pyetje për dëshmitarët që vetë i keni ftu”.

Pas dëgjimit të këtij dëshmitari, u dëgjua edhe dëshmitari i katërt i ftuar me propozim të PSRK-së, Fefzi Caka, i cili tha se ai personalisht nuk kishte marrë vizë italiane, por për vizë kishte aplikuar me nënën e tij, e cila e kishte pasur atë si shoqërues.

Ai tha se nuk i kishte kërkuar askujt favore apo intervenim që nëna e tij të merrte vizë, sepse tha se është pronar i një kompanie që bën shitjen e veturave dhe si biznesmen së bashku me familjen e tij, nuk kishin pasur kurrë probleme që të siguronin viza të çfarëdo vendi.

Caka tha se të akuzuarin Florjan Petani, i cili punonte në Ambasadën Italiane e kishte pasur klient, por që nuk i kujtohet se kjo gjë a kishte ndodhur para aplikimit të nënës së tij, për vizë apo pas kësaj.

Dëshmitari tha më pas se nuk e ndien veten të dëmtuar dhe se shpreson se nuk do të ftohet sërish për këtë rast për tu dëgjuar.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, seanca është ndërprerë për të vazhduar më 14 janar 2020, në orën 09:30.

Për këtë rast, të akuzuar ishin edhe 15 persona të tjerë, për të cilët, më 3 korrik 2019, është marrë vendim që procedura të veçohet.

Andaj, në këtë mënyrë për pesë të akuzuarit e parë, gjykimi do të vazhdojë ndaras nga 15 të tjerët.

Ky rast është përballur me shtyrje të vazhdueshme ku edhe seanca e paraparë më 14 qershor 2019, kishte dështuar të mbahej pasi kishin munguar pesë të akuzuarit në këtë rast, Florjan Petani, Adem Koskoviku dhe Fadil Ahmeti, Hasan Shaqiri dhe Beg Shaqiri.

Kjo kishte bërë që as pas më shumë se një viti e gjysmë të mos vazhdonte gjykimi në këtë rast.

Në nëntorin e vitit 2017, kur ishte mbajtur seanca e fundit, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën e 29 janarit, gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte njoftuar se do të bisedojë me prokuroren Florije Shamolli lidhur me veçimin e procedurës ndaj disa të akuzuarve, mirëpo lidhur me këtë ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e gjykatës.

Kurse, në seancën që ishte mbajtur në janar të vitit 2017, Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Visar Beqiri, si dhe Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri, kishin bërë kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë.

Madje, avokati Beqiri e kishte kundërshtuar edhe seancën e mbajtur më 22 nëntor 2017, pasi sipas tij, nuk do të duhej të mbahej një seancë e tillë, përderisa kërkesa e tij, ende nuk ishte shqyrtuar nga Gjykata Supreme.

Kërkesën për mbrojtjes të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ata e kishin paraqitur pasi që Gjykata e Apelit më 25 shtator 2017, kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Kurse, Gjykata Supreme, në shkurt të vitit 2018, kishte refuzuar si të papranueshme kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga avokatët Afrim Salihu dhe Besnik Berisha.

Sipas arsyetimit të vendimit të Supremes, thuhej se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore, e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë.

Ndërsa, në këtë rast, sipas arsyetimit, procedura nuk ka përfunduar në formë të prerë, andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e palejuar.

Seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës dhe 19 të tjerëve ishte mbajtur më 22 nëntor të vitit 2017, por edhe ajo ishte shtyrë me kërkesë të gjykatësit Petrov Petkov, i cili kishte kërkuar veçim të procedurës për të akuzuarit Ukë Rugovën, Izet Beqirin, Florjan Petanin dhe Qefser Bahollin.

Këtë propozim, e kishte kundërshtuar prokurori i atëhershëm i rastit, Alan Casnick, i cili kishte thënë se një veçim i tillë do të ishte i panevojshëm, ndërsa disa nga mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar kohë që të deklaroheshin për këtë propozim.

Në bazë të kësaj, gjykatësi i atëhershëm Petkov, u kishte dhënë shtatë ditë kohë mbrojtësve të të akuzuarve, që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim dhe pas kësaj, gjykatësi kishte thënë se do ta caktonte seancën tjetër për këtë rast.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Exit mobile version