Site icon PrishtinaPress

Dëshmitarja flet lidhur me dokumentet: Krejt incidenti ishte shumë stresues dhe më ka shkaktuar shumë ankth

Taibe Miftari, asistente teknike dhe recepsioniste në zyrën kryesore të Organizuarës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka rrëfyer tre rastet kur në OVL-UÇK një person i panjohur ka dërguar dokumente dhe ka thënë se e gjithë kjo i ka shkaktuar traumë për çka ende i bartë pasojat. Ajo është dëshmitarja e mbrojtjes në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Në ditën e parë të paraqitjes së saj para Dhomave të Specializuara në Hagë, mbrojtja e ka lexuar deklaratën e saj me shkrim të cilën trupi gjykues e ka pranuar si provë materiale.

Në deklaratën e saj me shkrim, të cilën ne ka lexuar mbrojtja, Taibe Miftari ka thënë se dokumentet në OVL-UÇK në tre rastet janë dorëzuar nga tre persona të ndryshëm dhe se të njëjtat ajo nuk i ka lexuar.

Ajo ka thënë se më 7 shtator rreth orës 10:00 ndodhej në zyrën e saj në OVL-UÇK kur një person i panjohur ishte shfaqur në korridor. Sipas saj, i njëjti mbante maskë anti-Covid, kapele bejsbolli, syzë të diellit dhe doreza andaj ishte e pamundur të dallonte ndonjë tipar identifikues.

Miftari(Lexohet nga mbrojtja): Isha e brengosur se në paketë mund të kishte bombë

“E lëshoi paketën në një tavolinë të vogël drejt tavolinës sime, ishte një paketë nga kartoni e cila ishte goxha e madhe, isha e ulur në tavolinën time kur e lëshoi paketën dhe tha ‘jepja atij që flet në televizor’. E pyeta kush ishte, por nuk tha asgjë dhe u largua. U ngrita nga karrigia ime dhe e pyeta disa herë kush ishte por ai vazhdoi të ecte, foli në shqip dhe nuk kishte asgjë të pazakontë apo të çuditshme lidhur me mënyrën se si ai foli, nuk i kam kushtuar vëmendje njeriut që po largohej dhe nuk kam bërë ndonjë përpjekje për të ndjekur pas, isha e brengosur që në paketë mund të kishte bombë dhe isha e frikësuar që do të eksplodonte”, ka thënë Miftari në deklaratën e saj me shkrim.

Pas kësaj, ajo ka thënë se ka shkuar në zyrën e kryetarit të OVL-UÇK, Hysni Gucati dhe i ka njoftuar ata.

Miftari ka thënë se një prej anëtarëve të kryesisë së lartë që ishte në zyrë me Gucatin dhe të tjerët e ka marrë paketën dhe e kanë dërguar në zyrën e Gucatit. Sipas saj, ajo nuk ka parë asgjë nga dokumentet që ishin sjellë.

Miftari: Ende kam pasoja nga tronditja në OVL-UÇK

“Isha vërtetë e frikësuar dhe stresuar në atë kohë meqë asgjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë, isha e shtangur në të vërtetë sepse mendova që në paketë kishte bombë dhe për këtë arsye nuk kam dashur ta hap atë. Prej ndodhjes kam përjetuar pasojat e kësaj tronditjeje, duke qenë kështu ju shmangem situatave kur mund të mbetëm vet në zyrat e OVL-së. Nuk kam qenë e përfshirë fare në konferencën për shtyp dhe mund të them që dokumentet i kam parë vetëm nga distanca dhe nuk më kanë lejuar t’i shoh ato”, ka thënë ajo në deklaratën me shkrim.

Tutje, në deklaratën e saj me shkrim, Miftari ka thënë se të nesërmen më 8 shtator 2020 përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë vizituar zyrat e OVL-UÇK-së dhe kanë biseduar me Faton Klinakun meqë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin me pushime.

Ndërsa më 16 shtator ka thënë se ka arritur dërgesë tjetër sipas saj rreth orës 15:00.

Në dërgesën e dyta ajo ka thënë se kanë qenë tre paketa prej të cilave njëra ishte më e madhe.

Miftari: Personi që i solli paketat herën e dytë ishte i ndryshëm nga i pari

“Njeriu që i solli ato paketa ishte ndryshe nga ai që i kishte sjellë dokumentet herën e parë më 7 shtator 2020. Ky njëri kishte kapelë të bejsbollit, syze të diellit, doreza, bluzë me kapuq dhe rroba me ngjyrë të kaltër të mbylltë ose kaltër të thellë, ai ishte më i gjatë se njeriu i parë që kishte sjellë dokumentet, gjatësia e tij ishte e vetmja gjë që dallonte atë nga njeriu i parë që kishte sjellë dërgesën”, ka thënë Miftari.

Ajo ka thënë se në të gjitha rastet dokumentet janë marrë nga Gucati e Haradinaj dhe ajo nuk është lejuar t’i shoh ato.

Në deklaratën e saj me shkrim, Miftari ka treguar që më 17 shtator hetuesit e ZPS-së përsëri kanë vizituar zyrat e organizatës dhe kanë biseduar me Gucatin.

Ndërsa më 22 shtator, sipas saj, rreth orës 10:00 ka arritur dërgesa e tretë në OVL-UÇK. Miftari ka thënë se përsëri ishte një tjetër pëson që i kishte dërguar ato.

Miftari: Herën e tretë pash një njëri duke dalë nga ashensori dhe mbante grumbuj të dokumenteve

“Pash një njëri duke dalë nga ashensori, ai ishte i maskuar dhe mbante syze të diellit, doreza dhe një kapele të bejsbollit. Njeriu i vuri duart në bel, kur e pash duke e bërë atë isha e ulur pranë tavolinës sime dhe e lëviza karrigen, që është karrige e zyrës me rrota, sepse nuk e dija çfarë kishte në brez. Nëse kishte armë ai mund të më vriste, isha e frikësuar dhe lëviza në të djathtë në rast se do të kishte armë. Njeriu kishte grumbuj të dokumenteve në trup të futura në këmishën e tij, ai po e ngrinte këmishën lartë për t’i nxjerrë letrat e atëherë mendova që ai ishte duke nxjerrë një armë, ai pastaj i nxori letrat dhe i lëshoi në dysheme, në këtë moment unë u çova dhe shkova tek dera e zyrës sime i thash ‘kush je ti’, atëherë ai bërtiti me zë të lartë ‘mos më pengo, mos më pengo’. Pasi e tha këtë ai shkoi poshtë”, ka thënë Miftari në deklaratën e saj me shkrim.

Ajo ka thënë se i njëjti ka folur në gjuhën shqipe.

Deklarata me shkrim e Taibe Miftarit ka vazhduar me ditën e bastisjes në organizatë që ishte 25 shtatori i vitit 2020.

Miftari: Incidenti i bastisjes ishte shumë stresues

“Krejt incidenti ishte shumë stresues dhe më ka shkaktuar shumë ankth dhe nuk kam mundur të fle mirë atë natë. Në asnjë moment kurrë nuk më kanë kërkuar të bëj kopje ose të shpërndajë kopje të një dokumenti që ishte sjellë, vetëm më kanë kërkuar t’i bartë ato prej një zyre në tjetrën por nuk i kam lexuar asnjërën prej tyre dhe nuk e di se çka përmbanin ato, në këto rrethana, unë ende shkoj në punë por meqë i kam parë personat e maskuar duke hyrë në zyrat e OVL-së brengosem kur shoh njerëzit në publik duke mbajtur maska meqë ato barten aktualisht për shkak të pandemisë COVID-19. Prirem t’u shmangëm njerëzve të maskuar e tërë kjo më ka shkaktuar traumë dhe ishte mjaft frikësuese”, ka thënë Miftari.

Deklarata me shkrim e Taibe Miftarit është pranuar si provë materiale nga trupi gjykues me përjashtim të paragrafit 35 dhe 40 që është kundërshtuar me kërkesën e ZPS-së.

Taibe Miftari është dëshmitare e mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe publikimi i kësaj ngjarjeje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Exit mobile version