0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Dëshmitarja e parë, gjykimi në privatësi, si i mbylli Specialja seancat?

Nisja e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të luftës në Gjykatën Speciale në Hagë mori shumë vëmendje në Kosovë. Në tri seancat e para, publiku dëgjoi akuzat e Prokurorisë, fjalën e avokatëve dhe deklarimet e vetë disa prej të akuzuarve.

Por për tri seancat e kësaj jave publiku nuk di asgjë. Kur gjykimi këtë javë vazhdoi me dëshminë e dëshmitares së parë të paraqitur në këtë gjykim, seancat u bënë private. Prokuroria ka thënë se i ka edhe 311 dëshmitarë të tjerë, por jo domosdo të gjithë do të flasin para gjykatës.

Ka kaluar më shumë se një javë prej kur në Gjykatën Speciale në Hagë nisi gjykimi ndaj katër ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Procesi gjyqësor që pritet të zgjasë me vjet, nisi me fjalët hyrëse të Prokurorisë dhe avokatëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Nga 3 prilli, për tri ditë, Prokuroria e promovoi lëndën e saj, ndërsa të katër ish-eprorët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Këtë të martë, gjykimi vazhdoi me dëshminë e dëshmitares së parë të paraqitur në këtë gjykim. Ajo ka tri ditë që po iu përgjigjet pyetjeve të avokatëve të të akuzuarve.

Për dallim prej tri ditëve të para të gjykimit, për tri seancat e kësaj jave publiku nuk di asgjë. Specialja e ka konsideruar të nevojshme që të mos bëjë të ditur asgjë nga dëshmia e dëshmitares, përveç fshehjes së identitetit dhe zërit.

Seancat e kësaj jave ishin private dhe publiku mundi t’i dëgjonte vetëm fjalët e kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith që i hapte dhe i mbyllte ato.

Pasi i urdhëronte asistentët që ta sillnin dëshmitaren në sallën e gjyqit, kryegjykatësi i ka nisur seancat e kësaj jave duke i thënë asaj që t’u përgjigjet qartë dhe me fjalë të shkurtra pyetjeve të avokatëve. Dhe fill mbas kësaj, seancat janë mbyllur për publikun.

Për këtë reagoi të martën udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Kosovë, Faton Klinaku.

“Pak po ju duket që i fshehet fytyra dhe zëri dëshmitares, veç edhe kalojnë në seancë edhe më private”, shkroi ai në Facebook.

Dëshmitarja e parë do të dëshmojë për katër ditë dhe më pas do të vijojnë të tjerët. Javën e ardhshme do të ketë gjykim më 17,18,19,20 prill.

Gjykimi do të vazhdojë në javën e dytë të majit, dhe gjysmën e dytë të qershorit. Seanca do të ketë edhe në korrik dhe vjeshtë.

Trupi gjykues ka thënë më 20 mars se nëse Prokuroria e Specializuar vazhdon përpara me përllogaritjen e paraqitur sa i përket dëshmitarëve, atëherë asaj do t’i duhen 6 vjet e gjysmë kohë vetëm për t’i marrë në pyetje dëshmitarët e saj.

Transparenca?

Ndërsa besueshmëria e Gjykatës Speciale shpesh vihet në diskutim, në Hagë ka një angazhim për t’i bërë qytetarët në Kosovë të besojnë në gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në Hagë thonë se po angazhohen konsiderueshëm për t’i bërë procedurat para gjykatës sa më transparente dhe të qasshme. Besojnë se duke qenë sa më transparentë, “njerëzit do të shohin që gjykimet para gjykatës zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme”.

“Për t’u dhënë njerëzve në Kosovë mundësinë për të bërë pyetje dhe për t’u angazhuar në një dialog me përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara, ekipi informues i Dhomave të Specializuara ka udhëtuar në Kosovë pothuajse çdo muaj për t’u takuar me komunitete të ndryshme në mbarë Kosovën, për të shpjeguar mandatin dhe punimet e institucionit dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të njerëzve”, pati thënë Specialja në dhjetor të vitit të kaluar, në një përgjigje.

Drejtorët e Dhomave të Specializuara, kryetarja dhe sekretari kishin qenë shumë të angazhuar në takimin e programit informues me shoqërinë civile dhe mediat në Kosovë, në një përpjekje për t’i sjellë procedurat para gjykatës “më afër popullit në Kosovë”. Janë organizuar mbi 130 “takime ndërvepruese me audiencën në Kosovë”, duke u angazhuar “drejtpërdrejt me rreth 3000 persona”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se ka 312 dëshmitarë për këtë rast ku ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Por jo domosdo të gjithë ata do të ftohen që ta japin dëshminë para gjykatës. Mbrojtja po ashtu do t’i paraqesë dëshmitarët e saj, përfshirë disa ndërkombëtarë./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img