Pejë- Dëshmitari Ilir Lulaj, ka thënë nuk kishte vërejtur nëse tani i akuzuari Kreshnik Haliti e kishte planifikuar vrasjen e tani të ndjerit Mentor Zekaj.
Këtë deklarim, dëshmitari Lulaj e bëri të hënën në seancën e rigjykimit në Gjykatën Themelore në Pejë.
Kreshnik Haliti po akuzohet se në mars të vitit 2017, për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur në mes vete, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Mentor Zekaj.
Dëshmitari Lulaj është thirrë nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Haliti, avokatit Besnik Berisha për të sqaruar para trupit gjykues takimin e dëshmitarit me të akuzuarin Haliti pak çaste para se i akuzuari të kryente veprën penale dhe për të kundërshtuar pretendimin e prokurorisë se i akuzuari kishte përgatitur vrasjen e tani të ndjerit.
Dëshmitari rrëfeu se në ditën kritike afër shëtitores së qytetit të Pejës kishte parë të akuzuarin Haliti të hareshëm, i cili i kishte treguar dëshmitarit se po shkonte të pinte kafe me Berat Thaqin dhe të njëjtin e kishte ftuar për kafe.
Dëshmitari konfirmoi deklarimin e tij të mëparshëm se në ato momente kishte ardhë një veturë me ngjyrë të bardhë dhe personi që ngiste veturën të cilin dëshmitari tha se nuk e njihte, e kishte thirrë të akuzuarin Haliti në emër, e ky i fundit më pas kishte hipur në veturë.
“Po kam qenë afër. Kreshniku i ka treguar edhe atij personi që ishte në veturë se po shkonte me pi kafe”, tha dëshmitari.
Dëshmitari shtoi se personi që e kishte thirrë të pandehurin nuk kishte dalë nga vetura dhe se tek i akuzuari nuk kishte vërejtur ndonjë shqetësim.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha, dëshmitari sqaroi se kishe mbetur i befasuar kur kishte dëgjuar se Kreshniku kishte kryer vrasjen, kur sipas dëshmitarit, i akuzuari në ato momente kishte qenë i hareshëm dhe nuk kishte vërejtur se në ndonjë mënyrë ishte përgatitur të kryente ndonjë vrasje.
Seanca e radhës u caktua më 20 korrik 2022.
Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.
Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj.
Sipas aktakuzës, këto veprime kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri M.Z me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.
Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, sipas nenit 179, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, njofton betimiperdrejtesi.