Site icon PrishtinaPress

Dëshmitari serb dëshmon pa masa mbrojtëse në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka filluar që të dëshmojë dëshmitari i 32-të, Predrag Dediq, me kodin W0208 në këtë proces.

Ky dëshmitar po dëshmon përmes video-lidhjes, e po ashtu edhe katër të akuzuarit janë duke e ndjekur seancën në të njëjtën mënyrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari dhe marrja e tij në pyetje do të zgjasë një ditë.

Këtë dëshmitar ka filluar ta marrë në pyetje Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit Cezary Mihailzcuk, si dhe është paraparë që të zgjasë gjysmë ore.

Ndërsa, mbrojtja ka paraparë katër orë që ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.

Prokurori Mihailzcuk i prezantoi disa dokumente që sipas tij, dëshmitari ka dhënë deklarata në autoritete të ndryshme. E njëra prej këtyre deklaratave ishte para gjykatësit hetues në Beograd, më 31 maj 2000.

Deklaratën e dytë që dëshmitari e konfirmoi se e kishte dhënë lidhur me këtë çështje, ishte para TPNJ-së, Tribunalit të ish-Jugosllavisë.

Ndërsa, dëshminë e tretë, dëshmitari pohoi se e kishte dhënë më 12 dhjetor 2013, që është marrë nga njësia e posaçme hetimore.

Po ashtu, të gjitha këto dokumente të deklaratave të mëhershme të dëshmitarit, u pranuan si prova materiale.

Exit mobile version