Site icon PrishtinaPress

Dëshmitari në rastin e Salih Mustafës: Në Zllashë jemi sulmuar nga një helikopter serb

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Salih Mustafa, ku po dëgjohet dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS). Ai ka thënë se në shkurt të vitit 1999 ka qëndruar dhjetë ditë në fshatin Zllashë ku sipas tij ka kryer stërvitje në mënyrë që të bëhet pjesë e UÇK-së.

Dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, derisa u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit ka thënë se me qëllim që të hyjë në radhët e UÇK-së fillimisht ka shuar në fshatin Konushec të Podujevës por pastaj e kanë drejtuar për në Zllashë.

Të dhënat personale të dëshmitarit dhe pyetjet e para janë zhvilluar në seancë private, meqë prokurori ka vlerësuar se në seancë të hapur kjo mund të zbulojë identitetin e dëshmitarit.

Tutje, dëshmitari ka thënë se në fshatin Konushec UÇK kishte një bazë në gjendje gatishmërie për luftë.

Dëshmitari: Për t’u anëtarësuar në UÇK fillimisht kam shkuar në fshatin Konushec

“Pas shumë masakrave sidomos masakrave që ka bërë Serbia në Drenicë, sidomos në familjen e Adem Jasharit, vullneti im ka qenë edhe më i madh për të mbrojtur vendin dhe për të shkuar vullnetarisht për të kryer çka duhet të kryhet lidhur me ushtrimet ushtarake në mënyrë që të jem në radhët e Ushtrisë Çlirimtare në atë kohë. Së pari kam shkuar në fshatin Konushec se gjendet afër fshatit Sibovc, është komunë e Podujevës, dhe aty jam lajmëruar për herë të parë diku ka qenë 5 shkurti i vitit ’99, rreth orës 4 të mëngjesit, kanë dalë rojet, e kam thirr përgjegjësin e pikës dhe jam takuar me të”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur që mban kodin 4669.

Personi i cili e ka pritur në Konushec thotë të ketë qenë dikush i njohur si “Komandant Daja”, ku rrëfimi për pjesë të bisedës më të ka vijuar me përmbajtje të redaktuar.

Dëshmitari ka thënë se “Komandat Daja” i kishte thënë të shkojë në fshatin Zllashë ku sipas tij ashtu edhe ka vepruar, veçse ka shtuar se njëherë ka shkuar në shtëpi për përgatitje pastaj ka vazhduar për në fshatin ku e kishin sugjeruar.

Në Zllashë, dëshmitari ka thënë se e ka takuar një person me pseudonimin “Mësuesi” i cili sipas tij e ka orientuar ku të shkojë për të filluar ushtrimet.

Gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se ka shkuar në një odë ku ishte edhe Sejdi Veseli e Fatmir Sopi, që sipas tij, për këtë të fundit e kishin njoftuar se është përgjegjës për atë pikë.

Sipas dëshmitarit, në atë odë janë zhvilluar biseda për luftën.

Prokurori: Kënd kanë përmendur ata si komandant të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Dëshmitari: Kush ka qenë atëherë si i nominum, si Hashim Thaçin.

Prokurori: A ke dhënë kontribut vullnetar UÇK?

Dëshmitari: Kushtet kanë qenë shumë të vështira mirëpo unë i kam dhënë 100 marka kanë qenë në atë kohë të fundit që ka pasur familja ime, edhe e kam edhe faturën ende e ruaj që ma kanë dhënë kur e kam bërë pagesën.

Dëshmia e tij ka vazhduar duke thënë se ka qëndruar rreth dhjetë ditë për ushtrime në Zllashë, që sipas tij, personi i njohur si “Komandant Triumfi” i ka mësuar për armët me lartësi të mëdha.

Dëshmitari: Në Zllashë kemi qëndruar në lloj shkolle

“Kemi qenë në një lloj si shkollë kemi pasur krevetat secili të vetin, krevetat ushtarak që janë një mbi një me kate, kanë qenë në dhoma apo klasa krevatet nuk jam i sigurt për shkak që dukeshin si dhoma më herët kanë qenë klase me siguri dhe kanë qenë krevatet njëri mbi tjetrin tre krevate. Unë kam qenë më larti, krevatin e tretë. E kemi pasur orarin e caktuar, sa teori, sa praktikë, ushtrime fizike, ushqimin”, ka thënë dëshmitari.

Tutje, dëshmitari ka thënë se ushtrimi në Zllashë ka përfunduar pa probleme.

Prokurori: Si përfundoi ushtrimi në Zllashë?

Dëshmitari: Në rregull pa probleme, më thanë se ka përfunduar stërvitja, ti shko në shtëpi dhe ne të lajmërojmë kur kemi armatim sepse për momentin nuk ka… Kam shkuar në shtëpi, kam qëndruar një kohë, pastaj kohë pas kohe ne nuk kemi pasur mundësi me bisedu me ta përmes telefonit sepse nuk ka pasur telefona atëherë më është dashur të shkoj tre-katër herë këmbë prej fshatit deri atje, nga vendi ku banoja deri atje për me i pyet se a ka armatim a mund të filloj meqë jam pjesëtar i juaji.

Sipas tij, ai ka shkuar në Zllashë edhe rreth katër herë të tjera, për t’u interesuar nëse mund të fillojë angazhimin në UÇK.

Dëshmitari ka thënë se një ditë derisa ka qenë në Zllashë është sulmuar nga një helikopter ushtarak serb, që sipas tij ka pasur shenjën e rrejshme të kryqit të kuq.

Dëshmitari: Në Zllashë jemi sulmuar nga një helikopter serb

“E di që kam shkuar kam qëndruar një ditë, kam bujt një ditë, të nesërmen ajo ka ndodhur në mëngjes edhe ka qenë aty Sejdi Veseli i cili kur e ka vërejtur që ka shtënë me armë prej helikopterit forcat serbe ma ka dhënë një çantë të mbyllur dhe më tha se këtë duhet ta mbash dhe nuk guxon me ra në duart e armikut dhe shko me të fshehe, ti e di çka bën. Unë e kam marrë atë dhe jam nisë mirëpo para se me u nis unë kam pasur dëshirë me gjuajt atë helikopter por nuk më kanë lejuar ata, me marrë një M48 armë që ka qenë si lloj snajperi por më kanë thënë jo dhe më dha siç tregova çantën dhe u nisa. Nuk e kam hapur atë. Pasi kaloi sulmi ai më thirri tha hajde kthehu se kaloi sulmi tha kthehu bjerma çantën dhe ja ktheva, kaq ka qenë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Exit mobile version