Site icon PrishtinaPress

Dëshmitari i Speciales: Kolaboracionistët mbaheshin në qendrën e ndalimit në Bajgorë

Në seancën e së hënës në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari i tetë (me kodin 04323) tha se në qendrën e ndalimit në Bajgorë, mbaheshin kolaboracionistë apo personat që bashkëpunonin me armikun.

Fillimisht ai tha se për këtë qendër kishin njohuri të gjithë qytetarët dhe se e njëjta kishte qenë temë e diskutimit në rrethanat në të cilat ndodheshin, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Për këtë, tha se e dinte që nga vera e vitit 1998, e cila ishte një qendër e ditur për publikun dhe se lokacioni i kësaj qendre kishte qenë i qasshëm prej rrugës kryesore.

Ai tha se për shqiptarët, kjo qendër ishte e njohur për personat që bashkëpunon me armikun apo kolaboracionistët dhe për njerëzit që kishin shfrytëzuar momente të këqija të qytetarëve duke bërë plaçkitje apo vjedhje.

‘‘Vetëm informacion në mënyrë të përgjithshme, si qytetar e kam ditë, ka qenë në dijeni për gjithë qytetarët, s’ka qenë informacion i rezervum për dikë të caktuar’’, u përgjigj i njëjti kur u pyet se çfarë dinte ai aso kohe për kolaboracionistët.

Lidhur me këtë problem, ai tha se ata rriteshin me ideologjinë se në asnjë rrethanë dhe asnjë mënyrë nuk duhet të bashkëpunohet me armikun.

I pyetur se kush konsiderohej si kolaboracionist, ai tha se ‘‘njerëzit që kanë punuar për njësinë e punëve të brendshme serbe, e njohur si SUP’’, dhe se tha se këtë e dinte në bazë të informacioneve të kishin qarkulluar atë kohë.

Në vazhdim ai tha se edhe gjatë trajnimit është diskutuar mes ushtarësh kjo temë por se nuk kanë pasur udhëzime specifike lidhur me atë se si të identifikohet një kolaboracionist.

Ai po ashtu tha se si udhëzim gjeneral, në momentin kur kanë ndier veten në rrezik apo kanë dyshuar në ndonjë person, është dashur të bëjnë identifikimin e tij, por nëse ata s’kanë arritur këtë atëherë sipas tij, kanë lajmëruar rastin në Policinë Ushtarake.

Ndërkaq, i pyetur se a e dinte se në qendrën e ndalimit në Bajgorë, mbaheshin të mbyllur civilë apo ushtarë, dëshmitari u përgjigj se ‘‘po, ka pas civilë’’.

Seanca po vazhdon në sesion privat.

Exit mobile version