Site icon PrishtinaPress

Dëshmitari i 54-të i ZPS-së po dëshmon në seancë të mbyllur në rastin Thaçi dhe të tjerët

Ne seancë të mbyllur për publikun, ka filluar dëshminë dëshmitari i 54-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04739 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe prej herëve të tjera që seancat janë mbajtur në sesion privat, këtë herë kjo seancë po mbahet tërësisht e mbyllur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, kjo gjë po bëhet për mbrojtjen e dëshmitarit, i cili është me masa mbrojtëse.

Para se të mbyllet tërësisht seanca, gjyqtari Smith III dha një urdhër gojor lidhur me pranimin e regjistrimeve të versionit audio dhe video sipas deklaratave të Rregullës 153.

“Trupi gjykues në pajtim me urdhrin e katërt gojor të trupit gjykues të datës 15 janar 2024 në parashtrimin e protokolluar F02197 ZPS ka paraqitur si dokument për pranimin në prova materiale, regjistrimet në audio dhe video të deklaratave të dëshmitarëve të mëparshëm të pranuar sipas Rregullit 153, në vendimet e trupit gjykues F0194 dhe F02111. Pasi i konstaton këto vendime e si në pajtim me deklaratat e Rregullës 153, trupi gjykues i pranon ato në prova materiale dhe po ashtu udhëzon Zyrën Administrative që të caktojë këto prova materiale të incizimeve me audio dhe video duke caktuar edhe numrat e provave materiale si ato të përcaktuara në deklarata sipas Rregullës 153”, tha gjykatësi.

Ai shtoi se trupi gjykues e udhëzon më tej ZPS-në që të bëjë parashtrime për klasifikimin e dokumenteve të tilla ose regjistrimeve në audio dhe video, jo më vonë se 5 prilli 2024.

Ndryshe, të mërkurën pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i 53-të, ish-diplomati Shaun Byrnes në këtë çështje gjyqësore.

Ndërsa, të enjten pritet të vazhdohet sërish me dëgjimin e dëshmitarit 04739. Gjyqtari Smith III, inkurajoi palët që të kenë parasysh që dëshmia e këtij dëshmitari të përfundojë gjatë ditës së enjte pasi sipas tij ata do të shkojnë në një pushim prej dy javësh.

Krahas kësaj, trupi gjykues njoftoi se sot të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli  në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Exit mobile version