Sot para Dhomave të Specializuara po jep dëshminë dëshmitari numër 9, në rastin Pjetër Shala, i cili rrëfeu për kidnapimin që iu bë babait të tij dhe dërgimit të tij në Kukës, ku pretendoi se është keqtrajtuar mizorisht nga katër persona.
“Thonë se kanë ardhur nga shtabi në Jabllanicë. Në Jabllanicë e dhanë urdhrin nga aty që të vijnë atje. Babai e ka dëgjuar emrin Pjetër Shala. Atje ku ishte në Shqipëri, i kidnapuar, atje e kishte mësuar këtë emër. Nga një person, vetë ai i ka treguar. Kam kontakte të mira me shokët e shkollës atje dhe paslufte kam fillu vetë me hetu se kush është ai dhe ka qenë ai aty në atë katundin ku ka qenë babai”, deklaroi dëshmitari.
“Ai ishte kidnapuar nga katër persona dhe është dërguar në një kamp në Kukës. Nga kidnapimi, aty është njoftë një person, atë e ka njoftë vëllai i madh, ndërsa personat e tjerë nuk janë njoftë, edhe është dërguar në një kamp të vogël para se të shkoj në Kukës, ka pas kërcënime gjatë rrugës dhe kështu që e kanë çuar më vonë në Kukës, atje ku ka qëndruar deri në ditën e çlirimit. Është kërcënuar me vrasje, se cili nga ta do ta bëj, (babai) i ka thënë se ‘djemtë e kanë njoftë njërin prej jush, bëni si të doni’.
“Më ka tregu se është keqtrajtuar mizorisht atje. E kanë rrah me shkopa gome, ia kanë pre me brisk lëkurën, disa herë ka ndodhur kjo”.
Dëshmitari po ashtu tha se babanë e tij e kanë pyetur se ‘kush janë shpijunat’ dhe disa pyetje jo të gjata.
Ai po ashtu tha se babai i tij është takuar me Pjetër Shalën, me këtë të fundit që i ka treguar se ishte vetë ai që ka gjuajtu me revole drejt kafenesë së tij.
“Bisedoi me Pjetër Shalën, gjithmonë Shala e ka hapur bisedën me të dhe i ka thënë ‘pse e ke kërku dikun tjetër atë që ta ka gjujt kafen? Unë isha ai që e ka gjujt kafen edhe unë isha ai që isha tek shpia tek ti, pse nuk dole jashtë?’. Ai vetë e ka pranuar”.
Dëshmitarit tutje iu shfaq një hartë, për ta treguar vendin se ku ka qenë lokacioni i lokalit të kafesë dhe vendin ku ka jetuar familja./PrishtinaPress/