Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Me një rast të tillë është përballur një zyrtar policor teksa po patrullonte në Mitrovicë.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur pasi polici e ka ndalur të dyshuarin për kontroll dhe verifikim sepse i njëjti po e drejtonte veturën pa targa.
Për pasojë, zyrtari policor e ka gjobitur për kundërvajtje dhe kjo si duket e ka nervozuar shoferin e dyshuar.
Në shenjë revolte, i dyshuari e ka kërcënuar policin, duke e paralajmëruar se do ta pësojë keq, posa të jetë jashtë detyrës zyrtare.
Përballë kësaj situate, Policia e ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij.
Pas përfundimit të procedurave policor, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.