Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se deri në orën 19:00, MAShTI ka pranuar 11 mijë e 800 aplikime nga prindërit ose kujdestarët ligjorë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Nagavci tha se mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që sipas saj, asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore.
“Nga Drejtoritë komunale të arsimit kemi kërkuar që listat për tekstet mësimore të zgjedhura nga aktivat profesionale, t’i bëjnë publike në shkolla dhe në uebfaqet e tyre, ashtu që prindërit të kenë të dhënat e nevojshme për tekstet që do të blejnë për fëmijët e tyre. Jemi të njoftuar po ashtu se mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit”, tha Nagavci.
Tutje, e para e MAShTI-t tha se kanë marrë zotimin nga shtëpitë botuese se çmimet e librave nuk do të rriten e po ashtu që sasia e teksteve, sipas saj, është e mjaftueshme për numrin e nxënësve.
“Institucionet edukativo-arsimore me fillimin e vitit të ri shkollor, përmes DKA-ve, do të na informojnë në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, duke evidentuar edhe rastet eventuale të nxënësve të cilët mund të mos jenë pajisur me tekste shkollore si rezultat i mos-pranimit të mjeteve nga ana e prindërve për çfarëdo arsye”.
“Të gjitha rastet e adresuara nga shkollat/ DKA-të apo në emailin libri@rks-gov.net do të trajtohen ashtu sikurse do të adresohet çdo shqetësim teknik apo tjetër dhe asnjë nxënës nuk do të mbetet pa përfituar mbështetjen për tekstet dhe mjetet mësimore”, tha ajo.