Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka arsyetuar mungesën e vaksinave në Kosovë.
Ajo tha se problemi kryesor për vonesat sa i përket vaksinave kundër virusit Covid-19 është ndërrimi i qeverive.
“Nuk e di se kur pritet të vijë kontingjenti tjetër por duhet ta pyesni Ministrinë e Shëndetësisë dhe ata besoj kanë informata të sakta. Mirëpo ditëve në vijim ne kemi informacione që Kosova do të marrë vaksinat një numër të vaksinave që janë të nevojshme. Është e rëndësishme që popullata të vaksinohet sa më shpejt dhe kjo nuk është vetëm problem i Kosovës por edhe i BE-së. Ne e dimë se BE ka probleme me furnizimin me vaksina edhe në vendet e tyre po ashtu problem është ndryshimi i qeverive në Kosovë në periudhën e pandemisë sidomos në rrëzimin e qeverisë Kurti dhe këto vonesa janë e ish qeverisjes së kaluar e cila nuk ka nisur negociata për vaksina shumë më herët. Qeveria Kurti dhe Ministria e Shëndetësisë po bëjnë të pamundurën që të sigurojë vaksina sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh ajo për Ekonomia Online.
Kosova të martën ka pranuar 4 680 dozat e vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech. Kjo është pjesa e parë e 95 000 dozave që Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Edhe në fund të muajit mars, në formë donacioni, Kosova kishte pranuar 24 000 doza të vaksinës AstraZeneca, si donacion përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra. Këto doza u harxhuan në fund të muajit mars.