Deputetja e PDK-së në parlamentin e Kosovës, Xhevahire Izmaku, nuk i përjashton zgjedhjet e parakohshme si një mundësi për të zgjidhur çështjen e bllokuar të ratifikimit të marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, Ismaku tha se: “….ne duhet të përdorim instrumentat demokratikë, të miratojmë një marrveshje, që u jep kosovarëve mundësinë të lëvizin lirisht në Evropë. Fakt është që ne kemi mbetur në këtë drejtim. Presim që procesi të zhvillohet në Kuvend. Nëse nuk do të kalojë, do të kërkohen alternativa të tjera, pra dhe zgjedhjet si një mundësi”.
Izmaku ndodhet në Uashington në kuadër të një konference me parlamentarë nga vende anëtare të FMN dhe Bankës Botërore, në prag të takimit vjetor të pranverës të dy institucioneve financiare ndërkombëtar.
Në cilësinë e kryetares së Komisionit Parlamentar të Medias, deputetja Izmaku foli dhe mbi situatën e medias në Kosovë pas rasteve të kërcënimit të disa gazetarëve.
Sipas saj krahas problemeve me sigurinë, gazetarët në Kosovë përballen me probleme financiare në sektorin privat ku ka gazetarë që nuk marrin pagat prej muajsh.