Site icon PrishtinaPress

Deputetja e LDK-së: Përpos kabinetit qeveritar, me ligjin e pagave askush s’ka përfituar

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se me hyrjen në fuqi të ligjit të pagave, përpos kabinetit qeveritar, asnjë kategori nuk ka përfituar.

Ajo ka theksuar se me ligjin e ri, kategorive iu janë hequr shtesat si ajo e rrezikshmërisë dhe shtesat e tjera.

Nëse flasim për policinë, policia i ka pasur shtesat deri në hyrjen në fuqi të ligjit të pagave, deri më 1 janar të këtij viti, policia i ka pasur shtesat. Nëse më pyesni nëse ato shtesa janë paguar gjithmonë me kohë, jo, ka pasur vonesa. Ka pasur raste kur nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm dhe shtesat për 5-6 muaj janë paguar brenda një muaji”, ka thënë Bajrami në Klan Kosova.

“Kur është bërë ligji i pagave dhe kategorizimi me koeficient, ju i dini ato postimet e Kurtit i cili ka tregu se cilës kategori sa për qind iu ngrihen pagat, por në fakt të gjitha kategorive iu kanë hequr shtesat si ajo e rrezikshmërisë dhe shtesat tjera. Në fakt ka dalë që ata kanë marrë paga më të ulëta”, ka shtuar ajo.

“Me ligjin e pagave, përpos kabinetit qeveritar, pothuajse asnjë kategori nuk ka përfituar dhe meqenëse ka pasur një inflacion, koeficienti i cili është caktuar me ligjin e buxhetit vitin e kaluar nuk ka qenë i mjaftueshëm siç nuk është e mjaftueshme as rritja e cila po ndodh tani”, ka potencuar ish-ministrja.

Exit mobile version