Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blera Deliu-Kodra, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se demokracia në vend është duke shënuar progres.
“Ka trend pozitiv rreth asaj se parlamenti është i hapur për qytetarët dhe për të gjithë ata që duan të rregullojnë ligjet në të mirën e qytetarëve. Edhe sot ka pasur një fluks të qytetarëve ku ka pasur edhe aktivitete të shumta. Ne kemi pasur nevojë që të krijojmë një platformë të re në kuvend. Edhe qytetarët edhe organizatat e shoqërisë civile janë jashtëzakonisht të angazhuar për të mirën e vendit dhe të kalojnë detyrat e tyre profesionale”, tha ajo.
Ajo ka marrë shembull Kuvendin e Kosovës, pasi, sic ka thënë, tani qytetari mund të komunikojë drejtpërdrejt me të përzgjedhurit e tij, njofton Klan Kosova.
“Qytetari ka mundësi tani që të komunikojë direkt me të përzgjedhurin. Aty gjenden të gjitha kontaktet e deputetëve, të gjitha votimet. U përmend që pati edhe shumë qytetarë të pakënaqur. Paknaqësia e tyre është normale duke e marrë parasysh situatën e krijuar në vend. E ne duhet të punojmë me ta, që të mos e thyejmë besimin e qytetarëve. Ka pas nxënës, student, ku të gjithë kanë pasë mundësinë të shohin se si rrjedhin të gjitha gjërat rreth asaj që punohet në kuvend. Ka nevojë që Kuvendi të jetë edhe më i hapur. Është një hendek shumë i madh nëse komunat nuk deklarohen dhe nuk tregohen jo transparente”, tha Deliu-Kodra.
E pyetur lidhur me aferën Pronto, Deliu-Kodra ka refuzuar të komentojë duke theksuar se nuk është e interesuar ta bëjë këtë gjë, pasi do që të flasë për aktivitetin e saj në Kuvendin e Kosovës.
“Kam ardhur të flas për çështje krejtësisht tjera dhe jo për çështje të drejtësisë. Do të përmbahem nga secila deklaratë, kam ardhë të flas për aktivitetin tim dhe për asnjë institucion. Unë nuk kam ardhur të flas për kolegun tim, kam ardhur të flas për aktivitetet në Kuvend, jam në cilësinë e deputetes se forumit në parlament asgjë më tepër. Do të jetë një projekt bashkëpunimi për të arritur disa marrëveshje. Ne kemi mbetur pezull si pasojë e situatës politike të shkaktuar në Kuvend dhe nuk ka pas nevojë të arrihet deri në këtë çështje. Sepse qytetarët nuk e meritojnë. Ka pasur shumë sfida të tjera që janë adresu nga qytetarët. Shumë shpesh është cekë që gaz lotsjellës dhe aktet e dhunës nuk lejohen në Kuvend. Prandaj deputetët duhet të mbahen në aktet e dhunës”. /klankosova/