1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Deputetja britanike e thotë prerë: Qeveria jonë nuk do enklavë serbe në Kosovë

Është njëra ndër deputetet më të zëshme të Parlamentit Britanik për çështjen e Kosovës.
E qëndrimin e saj, deputetja Alicia Kearns e shpalosi ekskluzivisht edhe në një intervistë për klankosova.tv, ku shpërfaq shqetësimet britanike për planin evropian.

Ajo përmendi specifikisht pikën për asociacionin, të cilës ajo i referohet si “enklavë”.

“Kosova është një vend që meriton mbështetjen dhe miqësinë tonë dhe jam shumë e shqetësuar se propozimi i paraqitur aktualisht nga Gjermania-Franca dhe SHBA-ja nuk mjafton për Prishtinën se për çfarë i nevojitet popullit të Kosovës për të ndërtuar më të mirën e mundshme, të ardhmen për veten e tyre”.

“Jam veçanërisht e shqetësuar për propozimet e enklavës, sepse ne nuk e dimë se çfarë do të thotë kjo. Nuk duhet të marrim frymë nga etnoterritorializmi në këtë ditë dhe epokë. Ne duhet të punojmë drejt shoqërive multikulturore ku njerëzit respektojnë njëri-tjetrin, respektojnë historinë dhe e njohin atë që ndodhi dhe mund të ndërtojnë një të ardhme të fortë së bashku”, u shpreh deputetja britanike.

Megjithatë, ajo thotë se i mbetet Kosovës ta përcaktojë vetë rrugën e saj, ndërsa për klankosova.tv thekson mbështetjen për secilën reagim të qeverisë së Kosovës në raport me këtë marrëveshje.

“Isha e privilegjuar që kisha mundësinë të takohem me shumë nga liderët tuaj muajve të fundit, por ky është një vendim për Kosovën dhe unë do ta mbështes çfarëdo vendimi që merr qeveria juaj”, deklaroi Kearns.

Teksa flet edhe për diskutimet në takimet që kishte me presidenten Vjosa Osmani, ajo zbulon ekskluzivisht për klankosova.tv se planifikon ta vizitojë Kosovën.

“Kështu, unë pata privilegjin të takohesha me presidenten tuaj [Vjosa Osmani] për të diskutuar të ardhmen e Kosovës dhe prioritetet e saj dhe është e qartë se Kosova ka synime vërtet të forta sa i përket ambicieve për popullin e saj. Dhe është shumë e qartë se Kosova mund të kontribuojë shumë në komunitetin evropian dhe shpresoj shumë që mund të jem në gjendje të vizitoj muajt e ardhshëm”.

Klankosova.tv: Do të thotë se po planifikoni të vizitoni Kosovën?

Kearns: Do të doja, kështu që po përpiqem të organizoj një vizitë muajin e ardhshëm.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, shpalosi po ashtu edhe qëndrimin e Qeverisë britanike, duke thënë se e njëjta assesi nuk e përkrah themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pra, edhe qeveria britanike ka thënë se nuk e respekton dhe as nuk e përkrah propozimin për krijimin e enklavës serbe në Kosovë. Dhe isha shumë e kënaqur kur i pashë ata të konfirmonin në përgjigje të pyetjes sime që ua bëra ministrave”, theksoi ajo në këtë intervistë.

Por pavarësisht situatës, Kearns vlerëson se nuk arrin ta kuptojë kompromisin në planin evropian.

“Ajo që nuk kam mundur të konstatoj është se ku është kompromisi në këtë marrëveshje? Është absolutisht e drejtë për Kosovën që merr marrëveshjen ndërkombëtare dhe njohjen ndërkombëtare që ju meritoni, që ju nevojitet, sepse kështu e ruajmë paqen dhe shumë njerëz të Kosovës të jetojnë lirshëm jetën”.

Ajo thotë se situata në Kosovë, veç saj, është diskutuar edhe nga ministrat britanikë.

Alicia Kearn për klankosova.tv, po ashtu deklaroi se Qeveria britanike do që të shohë paqe mes të dyja shteteve.

“Kështu që unë mendoj se qeveria britanike dëshiron të shohë paqen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ne duam të shohim njohjen e të dy vendeve dhe duam të shohim respekt midis këtyre dy vendeve. Mendoj se Britania e Madhe dëshiron të dijë se Kosova është e lumtur dhe e rehatuar me atë që është paraqitur. Por gjithashtu nuk na takon neve të themi se çfarë duhet apo nuk duhet të vendosë Kosova”, deklaron deputetja britanike.

Ndërkaq, për Serbinë thotë se është e rëndësishme që të mos i mbajë dy pozicione, por edhe ta pranojë se është përgjegjëse për aktet çnjerëzore.

“Është shumë e rëndësishme që Serbia të pranojë se, nëse dëshiron të jetë anëtare e komunitetit evropian, nuk mund të vazhdojë të mbajë dy pozicione. Ajo duhet të vendosë nëse dëshiron të jetë një anëtar produktiv i komunitetit evropian, dhe kjo do të thotë të merret me të kaluarën e saj, të njohë se ku kanë qenë aktet e tmerrshme në njerëz dhe mizoritë e tmerrshme dhe të njohësh popullin e Kosovës që meriton vetëvendosje. Të gjithë ne si demokratë duhet të respektojmë vetëvendosjen”, u shpreh ajo.

Deputetja Alicia Kearns, njëherësh kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme Britanike, për klankosova.tv foli edhe për rëndësinë që BE-ja t’i përmbushë premtimet për liberalizimin e vizave.

“Është shumë e rëndësishme që BE-ja të përmbushë premtimet e saj për vendet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Është një proces me të vërtetë i rëndësishëm, Kosova është shumë e avancuar si demokraci dhe si shtet dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që ato premtime që janë bërë, të përmbushen”.

Ndër të tjera, Kearns konfirmon se delegacioni britanik e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ajo shprehet për klankosova.tv se mban shpresa tek Islanda, e cila aktualisht kryeson Presidencën e KiE-së deri në maj të këtij viti, që Kosova atje të bëhet anëtare e plotë e familjes evropiane.

“Një gjë tjetër që unë shpresoj është që Islanda, e cila kryeson Këshillin e Evropës këtë vit… shpresoj se Islanda do të sigurohet që Kosova të bëhet anëtare e plotë e vendeve evropiane dhe e di që delegacioni britanik e mbështet plotësisht këtë”.

“Pra, mendoj se është vërtet e rëndësishme që sa më shumë vende në Evropë të dëgjojnë zërin e Kosovës dhe të sigurohemi që ne të kuptojmë perspektivën dhe prioritetet tuaja. Unë dua të vij në vendin tuaj sepse ka kohë që dua ta bëjë këtë dhe shpresoj të kem një mundësi për të mësuar më shumë rreth vendit dhe për ta eksploruar atë dhe gjithashtu të kuptoj se cilat janë prioritetet tuaja ato që ju nevojiten në lidhje me mbështetjen e Britanisë”, potencoi deputetja britanike.

Në fund të muajit shkurt, Doarsa Kica-Xhelili, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se e ka uzurpuar Komisionin për Punë të Jashtme.

Ajo tha se, pas shkarkimit të Haki Abazit nga posti i kryetarit të këtij komisioni, e emëruara e LVV-së në atë pozitë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, u kishte shkruar letra senatorit amerikan, Robert Menedez, si dhe deputetes britanike, Alica Kearns.

Për këto dy letra, ajo thotë se nuk është konsultuar me anëtarët e këtij komisioni.

Ndërkaq, e pyetur nga klankosova.tv nëse ajo ka pranuar ndonjë letër nga Kryeziu-Hyseni, siç ishte raportuar, deputetja britanike nuk pati përgjigje konkrete, por tha se “mbetet të shihet ditëve në vijim”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img