Deputetja e Bosnje-Hercegovinës, Sabina Cudic, ka reaguar pasi 51 deputetët e Partisë Socialiste të Shqipërisë kanë votuar kundër rezolutës që dënon krimet dhe gjenocidin serb në Srebrenicë e cila u propozua nga deputetët mbështetës të Sali Berishës.
Cudic përmes një cicërime në twitter tha se veprimi i këtyre deputetëve është patetike dhe servilizuese.
Sipas saj, këta deputetë e poshtëruan veten duke dërguar mesazh dëshprues për Bosnjën-Hercegovinën, Kosovën dhe botën.
“Turp për ju 51 deputetë shqiptarë që iu bashkuat sot mohuesve të gjenocidit të Srebrenicës. Patetike dhe servilizuese të mbash anën e Rusisë dhe Serbisë në një anë krejtësisht të gabueshme të historisë. Ju poshtëruat veten dhe dërguat mesazh dëshprues për B&H, Kosovën dhe botën”, shkroi Cudic.
Kujtojmë se Cudic është gruaja e aktorit kosovar, Alban Ukaj.
Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar të enjten kërkesën e një deputeti të opozitës për të shqyrtuar dhe mbështetur një rezolutë që dënon krimet e kryera nga forcat serbe në Srebrenicë në vitin 1995 si gjenocid.
Propozimi i deputetit të Partisë Demokratike Tritan Shehu u hodh poshtë nga votat e deputetëve të Partisë Socialiste, që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Shqipërisë.
Shehu tha para deputetëve se refuzimi i Kuvendit të Shqipërisë ta dënojë gjenocidin serb në Srebrenicë dhe ta detyrojë Serbinë që të njohë krimet e saj “është vepër e shëmtuar, një shfaqje paprecedent, një shfaqje turpi.”