13 deputetë të Parlamentit të Zvicrës kanë dalë kundër masave të BE-së ndaj Kosovës. Deputeti i Këshillit Nacional të Zvicrës nga Partia Socialdemokrate, Cedric Wermuth ka thënë se ata kanë dërguar një letër tek presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për t’i kundërshtuar masat ndaj Kosovës.
“Letra është dërguar për zonjën Ursula von der Leyen sepse kemi qenë të befasuar me atë se si bashkësia evropiane dhe Komisioni Evropian e ka adresuar çështjen midis Serbisë dhe Kosovës. Zvicra nuk është anëtare e BE-së por ne jemi evropianë dhe jemi të përfshirë mjaft shumë edhe me Republikën e Kosovës. Siç dihet Kosova ka një Diasporë të madhe që jeton në Zvicër dhe përshtypja jonë është se qasja e BE-së ndaj asaj se çfarë po bën Qeveria e Kosovës është e pabalancuar”, ka theksuar Wermuth në RTK.
Sipas tij ngjarjet e muajve të fundit nuk kanë qenë të mira por kanë ndodhur.
“Ky është një kontekst i një demokracie që po mundohet të mbijetojë ndaj një agresori që gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një regjim autoritar. Jam mjaft i shokuar për masat që po i merr bashkësia evropiane kundër Qeverisë së Kosovës dhe jo kundër Qeverisë së Serbisë, e cila që disa herë veçse po e bojkoton procesin e dialogut. Madje, e ka quajtur të pavlefshëm kryeministrin e Kosovës dhe s’ka implementuar ato që është zotuar t’i implementoi”, ka shtuar Wermuth.
Ai tutje theksoi se problemi qëndron në të dyja anët e kufirit porse sipas tij Serbia është ajo që po mundohet ta pengojë dialogun e jo qeveria e Kosovës.
“Ne jemi munduar t’i tregojmë në letër zonjës Ursula von der Leyen se, ne, si evropianë mendojmë se në këtë periudhë duhet të marrim anën e demokracisë dhe të përkrahim qeverinë e Kosovës, e cila po i mbron vlerat evropiane në Ballkanin Perëndimor dhe kjo është qeveria e zotit Kurti dhe e presidentes Osmani”, është shprehur Wermuth.
Ai ka thënë se ka qenë i shokuar kur përfaqësuesit e BE-së dhe të administratës amerikane lavdronin presidentin serb Aleksandar Vuçiq si dikën që e garanton stabilitetin në rajon. “Unë mendoj krejtësisht ndryshe. Vu çiqi mbjell kaos dhe është i kontestuar edhe në vendin e tij. Ai po mundohet të dalë me këto politika që ta tërheq vëmendjen nga ajo që po ndodhë në Serbi, ku njerëzit po rebelohen kundër mënyrës se si ai po e udhëheq vendin”, ka thënë Wermuth.
Deputeti zviceran ka thënë se e mirëpret marrëveshjen ndërmjet Laj çakut dhe Bislimit, teksa ka thënë se ky duket të jetë një hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të situatës. Megjithatë, ai ka thënë se problemi nuk qëndron te Prishtina e Beogradi, por në Bruksel. “Është çështja e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe nëse nuk ndryshon kjo situatë dhe nëse Kosovës nuk i garantohet integriteti dhe sovraniteti nga të gjitha palët nuk do të kemi një rezultat paqësor e jetëgjatë. Shpresoj se do të shkojmë drejt ku do të pranohet sovraniteti i Kosovës dhe kjo do të ishte baza e hapave të ardhshëm”, ka nënvizuar deputeti i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.