Deputeti shqiptar në Bruksel, Ahmet Gjanaj, i cili ishte i ftuar në samitin e Diasporës që u mbajt dy ditë në Tiranë, teksa ka treguar disa detaje që nuk dolën në media në lidhje me festat apo dhe organizmin nga qeveria shqiptare, kërkon që së bashku me atë të Kosovës të krijojnë një ministri të përbashkët.
Propozimi:
Nga data 18 deri më 20 nëntor 2016, u mbajt Samiti i ashtuquajtur i Diasporës Shqiptare në Tiranë. Unë personalisht, me ftesë të Kryeministrit Rama, si të gjithë të pranishmit, mora vendimin që të marr pjesë pavarësisht paralajmërimeve të shumta dhe zërave kundërshtuese ndër më të ndryshme. Ajo që më bëri përshtypje më shumë ishte se nuk ishte një inisiativë e përbashkët e të dy kryeministrave të Shqipërisë dhe të Kosovës, por vetëm të atij të Shqipërisë. Megjithatë vendosa të jem pozitiv, shkova dhe arrita! Në mbrëmjen e hapjes së samitit konstatova se nuk merrte pjesë Presidenti i Shqipërisë ?! Ndenja pozitiv duke supozuar se protokolli i shtetit nuk parashikon prezencën e tij në të tilla raste, por sa u ngushëllova pak, vura re prezencën e presidentit të Kosovës. Vazhdova të ngel pozitiv duke shpresuar se protokolli që shmangu Presidentin e Shqipërisë nuk e shmangte dot atë të Kosovës! Mendja pozitive nuk zhbëhët kaq lehtë!
Nuk ishin të pranishëm asnjë Ministër të koalicionit qeverisës të Shqipërisë dhe asnjë anëtar të opozitës: të parët u ftuan, por nuk erdhën, të dytët nuk u ftuan fare! Të Kosovës nuk merrnin pjesë asnjë anëtar i opozitës dhe i qeverisë, por vetëm se Ministrat e forcës politike të Presidentit të Kosovës, mikut të Edi Ramës, përfshirë këtu dhe Enver Hoxhaj! Ky i fundit u acarua keq kur foli Rama në Beograd për Kosovën, por si dukët, nuk u indinjua fare që Rama në këtë samit në Tiranë, fliste për të gjithë Shqiptarët e botës pa Presidentin e Shqipërisë, pa Kryeministrin e Kosovës, pa partnerët e koalicionit qeverisës të Shqipërisë, pa partnerët e partisë së Enver Hoxhajt në qeverinë e Kosovës, pa opozitën e Shqipërisë dhe as atë të Kosovës…
Megjithatë, Kryeministri, në emër dhe të vip-ave që ishin të ftuar dhe që erdhën, « lau » gjithçka, të paktën formalisht, duke kërkuar « ndjesë për ata që u ftuan, por nuk erdhën, ata që duhej të ishin ftuar, por që nuk u ftuan dhe ata që u ftuan por në minutën e fundit nuk erdhën për shkak se menduan se jemi komunistë» tha Kryeministri !
Pjesëmarrësit e këtij samitit, mbi 600 veta, nga shumë vende të botës dhe të të gjitha fushave të veprimit, kishin ardhur me shpenzimet e tyre pavarësisht se ishin të gjithë të ftuar. Në këtë pikë, Kryeministri i Shqipërisë, dha përshtypjen e një organizimi të një qeverie moderne, ku leku kursehet për të mos rënduar financat e shtetit. E megjithatë, pjesëmarrësit nuk u mërzitën aspak, të kënaqur për mundësinë e ofruar nga ky samit për shkëmbim eksperiencash e kontaktesh me aktivistë të tjerë Shqiptarë nga e tërë bota. Duke llogaritur shpenzimet e avionit, të akomodimit për 3 ditë dhe ushqimit, nuk mundën të vinin në samit shtresat socio-ekonomike më të pamundura të diasporës (studentët, pensionistët,…), një paradoks ky për një Kryeministër të së majtës. Për këtë shtresë, çuditërisht, nuk u kërkua ndjesë.
Panelet kishin tituj të qëlluara dhe panelistët ishin shumë interesantë, por nganjëherë udhëheqësit e tyre, moderatorët pra, flisnin më shumë se vetë panelistët dhe asnjë nuk u caktua për të shënuar propozimet e ndryshme. Nuk i bën dhe njëherë të gjithë bashkë pjesëmarrësit e paneleve të ndryshëm për të përzgjedhur rezolutat më të rëndësishme për t’u adresuar. Kryeministri, sigurisht se u informua për propozimet e të gjithë paneleve por e la veten të derivojë në një ‘one man shoë’ fantastik që vetëm ai ia di sekretin dhe një seancë pyetje-përgjigje që nuk mundi të zbrazë të gjitha pyetjet e të pranishmëve pavarësisht se u premtua se do t’iu përgjigjeshin të gjitha pyetjeve, duke ndenjur qoftë dhe deri në mëngjes! Samiti përfundoi me atë mbrëmje gala ku iu dhuruan disa shoqatave dhe aktivistëve si inkurajim e mirënjohje për punën e tyre, dekorata të reja të papërfshira në ato zyrtare të shtetit që vetëm Presidenti do të kishte mundur t’i dorëzojë ! Dhe këtu, hasa në një paradoks pasi dhe pse synohet të shkohët në Bashkimin evropian, në Bruksel, pothuajse të gjitha dekoratat u dhanë jashtë Evropës, në veçanti në Amerikë…
E sidoqoftë, Samiti i parë i Diasporës i lë rrugë samitit tjetër që duhet të organizohet bashkërisht në mes Shqipërisë e Kosovës dhe përfaqësuesve të trevave tjera Shqiptare dhe të Diasporës, pa anashkaluar askënd dhe duke përmirësuar gabimet si në konceptim, në komunikim dhe në organizim dhe duke ofruar zgjidhje për të gjitha ato që janë kërkuar gjatë paneleve të samitit të parë. Për samitin e parë, për hirë të pozitivitetit që karakterizon Diasporën Shqiptare, gjërat u « gëlltitën » pa zhurmë, por ama në të ardhmen, do të duhet një ndryshim të qasjes, veçanërisht Diaspora, të mos përdorët politikisht se ajo nuk i përket asnjë krahut politik, nuk mund dhe nuk duhet të ndahet dhe si e tillë duhet të respektohet. E ndërkohë që nuk e gjykova të nevojshme, në radhë të parë, që të jepja këndvështrimin tim publik në lidhje me këtë Samit pasi pothuajse të gjitha gjërat ishin thënë, mora shkas nga realizimi i kronikave të të shkëlqyerit Marin Mema për historinë e Shqiptarëve të braktisur në skutat e Shqipërisë natyrore, veçanërisht historisë së trishtuar të Shqiptarëve të asimiluar në Plavë e Guci duke filluar me një analizë konstruktive të samitit të diasporës me të mirat dhe të këqijat për të shkuar pastaj në propozime konkrete që uroj se do të mund të gjejnë një jehonë pozitive, idealisht te qeveritë tona, fillimisht te faktori Shqiptarë në botë.
Pa pritur përfundimin e zhvillimeve integruese në Evropë dhe ndryshimin e raporteve të forcës me fqinjët tanë, është tepër urgjente të ngrihet një task forcë të përbashkët Shqipëri-Kosovë për të filluar betejën kundër asimilimit të Shqiptarëve jashtë shteteve tona Shqiptare, qofshin ata në Ballkan apo në botë! Samiti i Diasporës na mësoi, qoftë dhe në mënyrë paradoksale, se qeveria Shqiptare është e angazhuar në modernitetin, dhe se duhet kursyer sa më shumë nga buxheti i shtetit. Është thënë se qeveritë e të dy shteteve tona janë të angazhuara në procese përbashkuese si për shembull hapjen e ambasadave të përbashkëta të Shqipërisë e të Kosovës në tërë botën. Le të shkohet dhe më tutje në këtë proçes : bëj apel për ngritjen e ministrive të përbashkëta të të dy shteteve tona minimalisht të Kulturës dhe të Arsimit. Kjo do të kursente shumë lekë dhe do të rriste efikasitetin e tyre duke spostuar lekë për të mbështetur më fuqimisht promovimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës Shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë e Kosovës. Kjo masë do t’i printe proçesit të integrimit të Shqiptarëve në Evropë dhe do të shuante përfundimisht polemikat shterpe në lidhje me identitete të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë duke liruar shumë energji intelektuale pozitive për përparimin e Kombit.
Krahas asaj duhet lançuar në nivelin zyrtar të të dy shteteve tona një iniciativë pajtuese dhe përbashkuese për nxitjen e shkrirjes së të gjithë partive politike Shqiptare në një parti të vetme në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës që do të merret me mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve, ruajtjen e identitetit dhe zhvillimin ekonomik të zonave të banuara me Shqiptarë në një përpjekje këmbëngulëse kundër asimilimit të Shqiptarëve dhe boshatisjes së tokave Shqiptare. Pluralizmi politik në kushtet e aparteidit që e pësojnë Shqiptarët në mënyrë të përditshme në këto toka të pushtuara nuk është një liri demokratike por është një absurditet i plotë dhe një vepër antikombëtare ! Së fundi, kur flasim për dekorim, propozoj që Marin Mema, që e meriton më shumë se askush tjetër, të dekorohet me çmimin më të lartë të mundshëm për punën e tij fisnike në ringjalljen e rrënjëve Shqiptare në Shqipërinë natyrore dhe ndërgjegjësimin e Shqiptarëve për gjendjen e mjerueshme në të cilët jetojnë një pjesë të konsiderueshme të bashkëkombësve tanë