Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Milimir Vujadinoviq, ka kërkuar në seancën e sotme që prokuroria serbe të nisë hetimet kundër Tanja Milashinoviq Martinoviq, zëvendësambasadore e Bosnjës dhe Hercegovinës në Strasburg, pse nuk votoi kundër Kosovës në Këshill të Europës, por që abstenoi.
Për të, Vujadinoviq ka thënë se është serbe etnike me vendbanim në Beograd dhe se për këtë prokuroria duhet të hetojë nëse ajo si shtetase e Serbisë ka shkelë “Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi duke votuar në Këshillin e Europës kundër integritetit territorial të Republikës së Serbisë”.
“Java e kaluar definitivisht u shënua me ngjarje të dëmshme për Republikën e Serbisë. Të hënën, Këshilli i Europës votoi për pranimin e të ashtuquajturës Kosovë në atë organizatë dhe në çështjen e votimit na befasuan qëndrimet joparimore të disa shteteve anëtare të Këshillit të Europës. Megjithatë, është një surprizë shumë më e madhe kur dikush që është serb etnik voton kundër interesave të vendit të vet, kundër integritetit të tij territorial, kundër rendit të tij kushtetues”, tha Vujadinoviq, shkruajnë mediat serbe
“Me një fjalë, fatkeqësi. Disa do të thonë se ajo ishte e përmbajtur. Pra, ajo ishte e përmbajtur kur është fjala për integritetin, integritetin territorial dhe Kushtetutën e Republikës së Serbisë. Qytetarja e këtij shteti, qytetare e Beogradit është e rezervuar kur është fjala për integritetin e Serbisë dhe statusin e Kosovës dhe Metohisë. Pyetja ime është se a do të ndërmarrë Prokuroria ndonjë masë ndaj kësaj gruaje, e cila sipas informacioneve që kemi, është shtetase e këtij vendi, e cila gëzon beneficione në këtë vend dhe qytet”.
Ai tha se prokuroria është e obliguar të hetojë nëse ka elemente të shkeljes së Kushtetutës të Serbisë, derisa propagandoi për ngjarjet në Kosovë.
“Për të mos përmendur notën morale. Të votosh kundër vendit tënd, kundër popullit tënd dhe të përdorësh përfitime në këtë vend është e barabartë me katastrofën. Me atë votë një zonjë pështyu mbi çdo viktimë në Kosovë e Metohi, mbi heronjtë e Kosharës, mbi të gjithë ata që mbronin krahinën jugore serbe. Republika e Serbisë, Prokuroria duhet të ndërmarrë disa hapa”, tha Vujdinoviq./PrishtinaPress/