Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha dhe Visar Korenica, kanë vizituar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, ku janë pritur nga Drejtori Hasan Krasniqi.
Për këtë vizitë ka njoftuar Batusha, i cili në postimin e tij ka thurur lavde për Krasniqin, i cili në muajin shkurt ishte arrestuar në Bullgari.
“Me deputetin Visar Korenica vizituam K.R.U. “Gjakova” ku u pritëm nga drejtori z. Hasan Krasniqi me të cilin diskutuam për projektet e kompanisë, sfidat dhe sukseset. Gjithmonë kënaqësi të takosh njerëz të përkushtuar në punë, të aftë profesionalisht dhe të angazhuar për të mirën e përgjithshme”, ka shkruar Batusha.
Krasniqi ishte mbajtur në burg në Bullgari nga 23 shkurti, derisa kur ishte liruar më 4 prill. Ndalimin e tij e kishte konfimuar për Gazetën Express edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Madje, në një përgjigje në fund të marsit, MPJ kishte thënë se ndaj tij kanë nisur procedurat për ekstradim në Itali.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është njoftuar nga autoritetet bullgare se ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, (H.K.) po zhvillohet procedura ligjore për ekstradim në bazë të fletë-arrestit evropian. Nga informatat e fundit zyrtare që posedojmë shtetasi i sipërpërmendur ndodhet në burg në shtetin e Bullgarisë që nga data 23 shkurt, 2024”, ka deklaruar MPJ.
Ministria kishte thënë se s’është në dijeni për veprën për të cilën ishte arrestuar Krasniqi..
“MPJD nuk është njoftuar nga autoritetet bullgare, për natyrën e veprës, por vetëm se i njëjti u ndalua pasi ishte në kërkim nga Interpol – Italia. Nga informatat që posedojmë Gjykata bullgare nuk merret me veprën, por vetëm me procedurën për ekstradim”, thuhet në përgjigjet e MPJD’së.
Sipas raportimeve në media, Krasniqi është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.