Site icon PrishtinaPress

Deputeti i VV-së: Fillimi i punës për vetingun në drejtësi do të bëhet në pjesën e dytë të vitit 2023

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se amendamentet kushtetuese për vetingun do të bëhen në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, ndërsa në pjesën e dytë të vitit do të fillohet puna konkrete e këtij procesi. Rrustemi, i cili është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, thekson se në fillim të sesionit pranveror të Kuvendit, do të miratohet në lexim të dytë edhe Projektligji për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Rrustemi thotë se paralelisht me synimet për ndryshime kushtetuese për vetingun do të punohet edhe me opsionin për ndryshimet ligjore.

“Amendamentet kushtetuese besoj se duhet të votohen në pjesën e parë të vitit 2023, pastaj edhe ligji. Fillimi i punës mund të konsiderojmë se do të bëhet në pjesën e dytë të vitit 2023. Tash ka edhe sfida kuptohet, pasi amendamentet kushtetuese kërkojnë dy të tretat e gjithë deputetëve dhe dy të tretat e deputetëve që mbajnë vende të rezervuara. Por kjo është pjesë politike, kur duhet një diskutim më i gjerë në faza më të mëvonshme, por besoj se do të krijohet konsensusi, pasi vetingu është një proces në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie”, thotë ai.

Rrustemi thotë se para së të miratohen amendamentet kushtetuese për vetingun, të njëjtat do të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim paraprak të tyre.

“Në takimin e radhës do të miratojmë planin e veprimit dhe do të fillojmë shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese. Siç kërkohet edhe me procedurat të plotësim-ndryshimit të Kushtetutës, duke marrë parasysh se ne jemi të interesuar me opsionin pesë që nënkupton përmes ndryshimeve kushtetuese. Do të hartojmë amendamente kushtetuese, para se të miratohen ato, kryetari i Kuvendit duhet t’i dërgojë në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim paraprak të amendamenteve se a cenojnë të drejtat që parashihen me Kushtetutë. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese presim të shqyrtohen dhe miratohen në Kuvend. Paralelisht mendojmë të punojmë edhe me ligjin për procesin e vetingut dhe çfarëdo ligji tjetër që implikon ky proces. Shpresojmë që brenda periudhës gjashtë mujore që ka përcaktuar Kuvendit të përmbyllim krejtësisht këtë proces, në kuptimin e miratimit të bazës kushtetuese dhe ligjore dhe të fillimit të trupave”, deklaron Rrustemi.

Krahas kësaj, deputeti i mazhorancës thotë se me miratimin në lexim të dytë të byrosë, do të adresohet fenomeni shqetësues i pasurimit të pajustifikueshëm të zyrtarëve publikë në Kosovë.

“Opinioni i fundit i Venecias vlerëson lartë punën që është bërë dhe pozitivisht do të thosha unë secilën ndërhyrje dhe adresim. Natyrisht ka dhënë edhe tre-katër rekomandime joesenciale që presim si komision t’i adresojmë shumë shpejt dhe të miratojmë raportin me amendamente për t’ia drejtuar seancës. Tash Kuvendi është në fund të sesionit vjeshtor, nuk e di edhe sa seanca do të kemi këtë vit, por ne jemi gati për proceduar sa më parë. Tash i mbetet kryesisë së Kuvendit se a do të radhit në seancën e fundit për këtë vit, apo në seancën e parë të sesionit pranveror, por gjithsesi në javën e tretë të janarit presim që të miratohet projektligji për byronë dhe të fillojë themelimi i këtij institucioni, ashtu siç parashihet me ligj dhe të fillojë puna për adresimin e një fenomeni shqetësues në shoqërinë tonë, që ka qenë pasurimi i pajustifikueshëm i zyrtarëve publik në Kosovë”, shton ai.

Sipas tij, komentet e Komisionit të Venecias për këtë projektligj i kanë heshtur të gjitha shqetësimet e atyre që kanë kundërshtuar themelimin e byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Venecia i ka heshtur të gjitha shqetësimet të bazuara apo të pabazuara të secilit që ka kundërshtuar këtë Projektligj, madje edhe të atyre që kanë kundërshtuar shqyrtimin në Kuvend dhe kërkesat të tërhiqet nga Qeveria. Është konfirmuar nga mazhoranca që është bërë mirë që nuk është tërhequr, pasi ne kemi vlerësuar se ka hapësirë për adresimin e rekomandimeve. Ne jemi të interesuar që ky Projektligj të jetë me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Gjithmonë duke pasur parasysh se konfiskimi civil është një dukuri e rrallë do të them unë, siç është edhe vet fenomeni i pasurimit të pajustifikueshëm të zyrtarëve publik. Nuk ka më justifikime për të kundërshtuar, përveçse nëse ka motive subjektive”, thekson Rrustemi.

Gjatë javës që lamë pas është konstituar Komisioni Ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar në Kuvend, detyrë e të cilit do të jetë administrimi i gjithë procesit të vetingut në drejtësi./KP

Exit mobile version