Site icon PrishtinaPress

Deputeti i Vetëvendosjes: Nuk e kam parë draftstatutin e Asociacionit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca ka deklaruar se nuk e ka parë draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjyshinca ka thënë se si anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend, nuk ka pranuar asnjë dokument, nëpërmjet e zyrtare, që ka të bëjë me Asociacionin.

“Unë nuk e kam parë Asociacionin. Jam deputet, anëtar i Komisionit për punë të jashtme. Unë jam përgjegjës për ato dokumente që mua më vinë në mënyrë institucionale, zyrtare. Nuk e kam parë të ketë ardhur në mënyrë institucionale. Unë nuk kam pranuar draft, për të cilin sot do të mund të flisja me kompetencë”, ka thënë ai.

Gjyshinca ka thënë Kosovës i është kërkuar nga Bashkimi Evropian që ky draftstatut të mbetet konfidencial.

“Është kërkuar nga pala jonë, e Kosovës në Bruksel, që ky draft të mbetet konfidencial. Mendoj se kanë bërë mirë që e kanë mbajtur konfidencial. Ka qenë kërkesa e ndërmjetësuesve dhe ne e kemi mbajtur fjalën. Kemi pasur takime me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin. Jemi informuar në lidhje me atë se çfarë është përmbajtja në detaje, por nuk mund të them se e kam parë dokumentin”, është shprehur ai.

Deputeti i LVV-së më tej ka thënë se interesi kombëtar i Kosovës është që të gjitha dyshimet që mund të përkthehen në problem për rendin ligjor, të adresohen me kujdes kur bëheët fjalë për marrëveshjet që janë arritur në Bruksel.

“Interesi kombëtar i Republikës sonë është që të gjitha ato dyshime, probleme.. ose i gjithë potenciali që shihet se mund të përkthehet tutje në problem për mirëfunksionimin e rendit tonë kushtetues në të ardhmen, e rendit tonë ligjor që ato t’i adresojmë me kujdes dhe të shohim se si mund ta krijojmë arkitekturën e nevojshme institucionale, e cila del prej këtyre marrëveshjeve që janë arritur por që nuk e prekin në mënyrë substanciale mirëfunksionimin e institucioneve të Republikë sonë”, ka thënë ai.

Exit mobile version