Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, përsëri ka deklaruar se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit është skenar i përgatitur nga “ata që ulen në tavolinën e negocimit”.
Berisha në RTV Dukagjini tha se ministri Xhelal Sveçla, me akuzat që po i bën ndaj Prokurorisë, po dëshiron që rasti të mos zbardhet asnjëherë.
“Prokuroria nuk është lejuar të flasë, dhe tash që po mundohet ta akuzojë Prokurorinë, ky nuk e ka qëllim zbardhjen e kësaj situate, ajo situatë ka qenë skenar dhe skenaristët janë ata që ulen në tavolinën e negocimit… Fakti që nuk është leju që prokuroria të flasë, tregon që është një synim që prokuroria të anatemohet, përmes akuzave ka qëllim kapjen e prokurorisë… Ky nuk është dashtë të flasë fare nëse nuk e ka një raport përfundimtar”, tha ai.
Berisha tha se raporti i MPJD-së për sulmin terrorist në Banjskë nuk jep përgjigje për pyetjet, që, sipas tij, janë të rëndësishme në zbardhjen e rastit.