Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ishte zotuar para veteranëve në protestën e zhvilluar të hënën e kaluar se nuk do të kalonte ligji që përjashton veteranët nga rritja e pagës minimale, pa protestuar ai në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë, projektligji për pagën minimale kaloi në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e PDK-së nuk morën pjesë farë në seancën e djeshme.
Hisen Berisha, deputet i këtij subjekti tha se nuk ka qenë fare në Kuvend, por shton se ka qenë gabim bojkotimi i seancës nga GP i PDK—së.
“Ne duhet me shfaq mendimin dhe qëndrimin tonë. Kjo qeveri ka premtuar një pagë minimale 350 euro e tash me 260 e ka shkelë një premtim elektoral dhe i ka mashtruar qytetarët. Më këtë që ka bërë Qeveria e ka shkelë ligjin. Është e pandershme, por kjo është me tërheq vëmendjen nga mashtrimi që i kanë bërë popullit, sepse kanë premtuar pagë më të madhe”, ka thënë Berisha për Indeksonline.
Sipas tij, në emër të arrogancës së numrave, Vetëvendosje, nuk ka pranuar asnjë kompromis në Kuvend.
Ai ka akuzuar mazhorancën së synon ta nxjerrë popullin në rrugë dhe është interes i këtij pushteti, i cili sipas tij, nuk po mund t’i çoj proceset përpara, as në politike të jashtme e as politike të brendshme.
Veteranët dhe kategoritë e luftës, Berisha thekson se duhet të trajtohen më me dinjitet.
Pushteti, shton ai se ka objektiv me destabilizu vendin.
Sa i përket protestës së nesërme, Berisha thekson se është organizim qytetarë.
Ai thotë se është kundër nxjerrjes së veteranëve në rrugë, sepse veteranët duhet të trajtohen në mënyre të dinjitetshme me ligje.
Protestës së veteranëve për ditën e nesërme i kanë dhënë mbështetje, AAK, NISMA, PSD, dhe LB deri më tani.