Site icon PrishtinaPress

Deputeti i LVV-së: U sulmova fizikisht nga deputetët Kujtim Shala e Arben Gashi, rastin e kam paraqitur në polici

Përplasjet e ashpra në mes deputetëve të LVV-së, Fitore Pacolli e Gazmend Gjyshinca me ministren e MPJ-së, Meliza Haradinaj-Stublla në mbledhjen e komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka vazhduar edhe pas mbledhjes së këtij komisioni.

Deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca ka njoftuat se me të përfunduar mbledhja, në korridor është sulmuar nga deputetët e LDK-së, Kujtim Shala e Arben Gashi.

“Fillimisht kanë nisur sulmet verbale si nga kryetarja e komisionit edhe pastaj nga deputetët e LDK-së. Me të përfunduar mbledhja e komisionit, mbeta pak më vonë për të dalë nga salla ku u mbajte mbledhja, në momentin kur kam dalë në korridor jam sulmuar nga deputet Kujtim Shala e Arben Gashi”, tha Gjyshinca, duke thënë se ka marrë lëndime fizike si pasojë e goditjeve.

Edhe deputetja Fitore Pacolli ka konfirmuar se kolegu i saj është sulmuar nga deputetët e LDK-së, Kujtim Shala e Arben Gashi.

“Është e padrejtë, mënyra sesi na kanë sulmuar. Kjo nuk na zmbrapsë neve. Do të vazhdojmë punën tonë si deputet”, tha Pacolli.

Gjyshinca tha se kanë hapur rastin në polici dhe se për këtë incident është njoftuar edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me deputetët e LDK-së, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri më tani.

Exit mobile version